
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në tryezën për performancën dhe integritetin e SPAK, theksoi se balanca mes pavarësisë dhe llogaridhënies është thelbësore për funksionimin e drejtësisë.
Ai tha se SPAK është një nga arritjet më të prekshme të reformës në drejtësi, por pavarësia duhet të shoqërohet me mekanizma të qartë llogaridhënieje, që të mos kthehet në vetë-referencë.
Manja theksoi rolin mbështetës të ekzekutivit në fushat administrative dhe strategjike, pa cënuar vendimmarrjen e pavarur të SPAK.
“Përgjegjësi për mua të marr pjesë në këtë diskutim të rëndësishëm, që prek një nga çështjet më themelore të reformës në drejtësi: balancën mes pavarësisë dhe llogaridhënies në sistemin e drejtësisë penale, me fokus të veçantë në rolin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar – SPAK.
Reforma në drejtësi, e mbështetur gjerësisht nga qytetarët shqiptarë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, ka pasur si objektiv kryesor ndërtimin e një sistemi drejtësie të pavarur, të paanshëm dhe efektiv. SPAK është një nga arritjet më të prekshme të kësaj reforme – një strukturë e ndërtuar mbi themelet e integritetit, profesionalizmit dhe pavarësisë funksionale.
Por, siç e thekson me të drejtë edhe Raporti që u prezantua sot, pavarësia nuk është një qëllim në vetvete. Ajo duhet të shoqërohet me mekanizma të qartë dhe efektivë të llogaridhënies, për të garantuar që fuqia e dhënë institucioneve të drejtësisë të mos kthehet në vetë-referencë, por të shërbejë interesit publik dhe sundimit të ligjit.
Në këtë kuadër, koordinimi ndërinstitucional merr një rëndësi të veçantë. Ministria e Drejtësisë, si pjesë themeltare e kësaj arkitekture ndërinstitucionale, ka një rol të rëndësishëm në garantimin e funksionimit të balancuar të sistemit – për të siguruar që institucionet të kenë burimet, rregullimin dhe mbështetjen e nevojshme për të ushtruar mandatin e tyre në mënyrë të pavarur dhe të përgjegjshme.
Roli i ekzekutivit në raport me SPAK parashikon aspekte administrative, strategjike dhe mbështetëse, të cilat synojnë të garantojnë funksionimin efektiv të këtij institucioni por ndikuar apo cenuar pavarësinë e tij funksionale dhe vendimmarrëse. Ky rol shtrihet në fusha të tilla si garantimi i sigurisë fizike dhe personale të prokurorëve dhe ambienteve institucionale, planifikimi dhe mbështetja financiare, ofrimi i rekomandimeve strategjike për orientimin e politikës penale, si dhe ndërveprimi institucional përmes Ministrisë së Drejtësisë si një hallkë lidhëse me Këshillin e Ministrave”, tha Manja.
Në fund të fjalës së tij, Manja theksoi se sot më shumë se kurrë kemi nevojë për një drejtësi që jo vetëm është e pavarur, por edhe që jep llogari për rezultatet e saj.
“Në tërësi, roli i ekzekutivit ndaj SPAK është i konceptuar si një ndërveprim i kontrolluar institucional, që ndërton një mekanizëm mbështetës pa cënuar kompetencat kushtetuese dhe ligjore të institucionit, duke respektuar ndarjen e pushteteve dhe garantuar zbatimin e politikave shtetërore në fushën e drejtësisë penale.
Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për një drejtësi që jo vetëm është e pavarur, por edhe që jep llogari për rezultatet e saj. Kjo kërkon transparencë, standarde të qarta etike dhe profesionale, si dhe një kulturë të re institucionale që e sheh llogaridhënien jo si kërcënim, por si pjesë përbërëse të legjitimitetit të saj”, theksoi Manja.