
Komisionerja për Zgjerim Marta Kos pohoi sot se Shqipëria po ecën me ritëm të paparë drejt integrimit evropian.
Teksa në Parlamentin Evropian po debatohej progresraporti i Shqipërisë për vitet 2023-2024 ajo bëri thirrje që reforma në drejtësi të mos preket.
“Rezultatet e mira të SPAK-ut kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit janë hapa pozitivë që theksohen edhe në raportin e Parlamentit. Është jetike që Shqipëria të vazhdojë të tregojë progres konkret në fusha kyçe. Në këtë kontekst, pavarësia e strukturës së posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, SPAK, duhet të ruhet plotësisht. SPAK është sot institucioni më i besuar në vend. Kjo duhet mbrojtur dhe forcuar. Ky raport vjen në një moment vendimtar, pasi negociatat e anëtarësimit mes Shqipërisë dhe BE-së po ecin me një ritëm të paparë më parë, siç e dëgjuam, me disa arritje të rëndësishme të përmbushura në muajt e fundit dhe të tjera që priten. Kjo tregon se Shqipëria është angazhuar seriozisht në procesin e zgjerimit, ndërsa BE-ja po vepron duke respektuar qasjen e bazuar në meritë. Ne po punojmë ngushtë me presidencën daneze për të mbajtur ritmin. Besojmë se edhe dy grupet e mbetura do të hapen sapo të jetë e mundur.” – tha Kos.