
Përpjekjet e kryeministrit Pedro Sánchez për të rifilluar besimin ndaj partisë së tij në pushtet, Partisë Socialiste Punëtore Spanjolle (PSOE), pas akuzave të dëmshme për korrupsion që kërcënojnë të rrëzojnë qeverinë e tij të koalicionit, kanë pësuar një goditje të rëndë pasi një zyrtar i partisë dha dorëheqjen për akuza për ngacmim seksual.
Kryeministri kishte shpresuar se takimi i fundjavës i komitetit federal të PSOE-së do të ndihmonte partinë të linte pas javë të tëra skandalesh që kanë minuar premtimet për etikë dhe luftë kundër korrupsionit, me të cilat ajo erdhi në pushtet shtatë vjet më parë.
Por këto shpresa u shuan të premten vonë në mbrëmje, pasi gazeta online elDiario publikoi akuza nga disa gra punonjëse të PSOE-së, të cilat thanë se kishin qenë viktima të ngacmimit seksual nga Francisco Salazar, i cili mbikëqyrte koordinimin institucional në pallatin Moncloa, zyra dhe rezidenca zyrtare e kryeministrit.
Këto akuza e shtynë Salazarin të njoftojë të shtunën se po jepte dorëheqjen nga ky post dhe nga roli i tij i ri si zëvendës në sekretariatin organizativ të PSOE-së, sipas The Guardian.
Ai i tha elDiario se nuk mund të kujtonte ndonjë ndërveprim të papërshtatshëm.
“I kam thyer trutë duke menduar për këtë dhe më duket krejtësisht e pabesueshme,” tha ai. “Vazhdoj të pyes veten nëse kam bërë ndonjë gabim apo kam thënë diçka të papërshtatshme ndaj ndonjë kolegeje, dhe e vërteta është që nuk gjej asnjë rast të tillë.”
Burime pranë Moncloas, në Madrid, thanë se ishte nisur një hetim, por shtuan se deri tani nuk ishte paraqitur asnjë ankesë zyrtare kundër Salazarit.
Të shtunën, Sánchez kërkoi sërish ndjesë për atë që e quajti besim të gabuar te persona të akuzuar për keqbërje, duke shtuar: “Gabova që i besova njerëzve që nuk e meritonin, por ne nuk do të ndalemi në kohën e rigjenerimit demokratik.”
Kryeministri, i cili përballet me një presion gjithnjë e më të madh për të thirrur zgjedhje të parakohshme, deklaroi se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen.
“Kapitani nuk largohet nga përgjegjësia kur deti bëhet i trazuar; ai qëndron për të përballuar stuhinë dhe për të çuar anijen në port,” tha ai.
Dorëheqja e Salazarit është goditja më e fundit ndaj autoritetit dhe gjykimit të kryeministrit.
Të hënën, Santos Cerdán – i cili shërbente si sekretari organizativ i PSOE-së dhe ishte dora e djathtë e Sánchezit – u vu në paraburgim pasi një gjyqtar i gjykatës së lartë gjeti “prova të forta” për përfshirjen e tij të mundshme në marrjen e ryshfeteve mbi kontratat publike të ndërtimit.
Hetimi filloi pasi njësia kundër korrupsionit e policisë Guardia Civil i dorëzoi materialet gjykatës që sugjeronin se Cerdán kishte diskutuar marrjen e këtyre ryshfeteve me ish-ministrin e transportit të PSOE-së, José Luis Ábalos, dhe një nga ndihmësit e tij, Koldo García.
Ábalos dhe García janë gjithashtu nën hetim dhe kanë mohuar çdo keqbërje. Cerdán, i cili dha dorëheqjen nga roli i tij në parti dhe nga posti i tij parlamentar pak pasi dolën në dritë këto informacione, është zotuar të pastrojë emrin e tij.
Sánchez, i cili u bë kryeministër në vitin 2018 pasi përdori një mocion mosbesimi për të rrëzuar nga pushteti Partinë Popullore (PP) konservatore të përfshirë në korrupsion, tashmë po përballet me hetime për korrupsion që prekin gruan dhe vëllain e tij, të cilët i mohojnë akuzat.
Një ish-anëtar i PSOE-së është gjithashtu i implikuar së fundmi në një fushatë të dyshuar shpifjesh kundër njësisë së Guardia Civil që po hetonte këto akuza për korrupsion.
Partia Popullore (PP) deklaroi se akuzat e fundit janë një tjetër provë e gjykimit të dobët të kryeministrit dhe paaftësisë së tij për të udhëhequr vendin.
“Ai nuk ka asnjë besueshmëri dhe gjoja lufta e tij kundër korrupsionit dhe seksizmit është thjesht hipokrizi,” thanë burime të PP-së të shtunën.
“Sánchez është po aq i aftë të jetë kryeministër sa është i aftë të përzgjedhë njerëz. Ose nuk ka shumë njerëz të ndershëm në partinë e tij, ose ai nuk është i aftë të zgjedhë njerëz që e meritojnë të jenë në politikën spanjolle.”
Thirrjet për zgjedhje të reja po nisin të dalin edhe nga disa segmente të vetë partisë socialiste. Emiliano García-Page, president i rajonit Castilla-La Mancha nga PSOE, tha se kishte ardhur koha për të lënë parlamentin dhe popullin të shprehen.
Sipas elDiario, García-Page përdori takimin e partisë të shtunën për t’i kërkuar Sánchezit të shqyrtonte mbajtjen e një vote besimi në parlament.
“Nuk e di nëse do ta fitojmë,” tha ai. “Por nëse jo, atëherë mos përjashtoni mundësinë e thirrjes së zgjedhjeve.”