
Parisienët nxituan të laheshin në lumin Sena të shtunën, pasi autoritetet e hapën lumin për publikun për herë të parë që nga viti 1923, pas një operacioni të gjerë pastrimi të nxitur nga përdorimi i tij vitin e kaluar në Lojërat Olimpike të Parisit.
Tre vende përgjatë brigjeve të Senës në qytet do jenë në gjendje të mirëpresin mbi 1,000 qytetarë çdo ditë deri më 31 gusht, thanë zyrtarët lokale, shkruan AA.
Rihapja e Senës për not publik vjen pas përpjekjeve të autoriteteve për të përmirësuar cilësinë e ujit në mënyrë që të mund të përdorj për garat olimpike verën e kaluar.

Investimet përfshinin lidhjen e dhjetëra mijëra shtëpive me sistemin e kanalizimeve, përmirësimin e impianteve të trajtimit të ujit dhe ndërtimin e rezervuarëve të mëdhenj të ruajtjes së ujit të shiut për të parandaluar derdhjen e ujërave të zeza gjatë stuhive të forta.
Provat ditore të cilësisë së ujit do kryhen gjatë sezonit të notit, me flamuj të gjelbër dhe të kuq – të ngjashëm me sistemet e sigurisë në plazh – që do tregojnë nëse zonat e notit janë të hapura apo të mbyllura.
Përveç tre vendeve brenda Parisit, 14 zona noti jashtë kufijve të kryeqytetit do ngrihen në lumenjtë Sena dhe Marne. Dy prej tyre janë hapur tashmë në Marne në qershor.