Vendosni fjalën kyçe....

Elon Musk me parti të re? Sekretari i Thesarit Bessent: Të merret me bizneset, jo me skenën politike


Sekretari i Thesarit në administratën e presidentit Donald Trump, Scott Bessent, ka komentuar krijimin e partisë së re politike nga Elon Musk, duke i bërë thirrje këtij të fundit të përqendrohet tek biznesi dhe të qëndrojë larg politikës.

Në një intervistë televizive të transmetuar së fundmi, Bessent u pyet në lidhje me marrëdhëniet e mëparshme të tensionuara me Musk gjatë kohës kur ky i fundit bashkëpunonte me administratën Trump, si dhe për lajmin e bujshëm se Musk ka vendosur të krijojë një parti të re politike në Shtetet e Bashkuara, të quajtur America Party.

Bessent theksoi se, ndonëse parimet që Musk ka promovuar, si në rastin e DOGE, janë përqafuar pozitivisht nga publiku, vetë figura e Musk nuk gëzon të njëjtin nivel popullariteti.

“Parimet e DOGE ishin shumë popullore. Nëse shikonit sondazhet, Elon nuk ishte,” deklaroi Bessent, duke vënë në dukje kontrastin mes ideve që Musk mbështet dhe perceptimit të tij personal në publik.

Ai shtoi se Elon Musk është një lider i pakrahasueshëm në botën e biznesit dhe teknologjisë, por se politika është një terren krejt i ndryshëm.

Sipas Bessent, bordet drejtuese të kompanive të tij, përfshirë gjigantët Tesla dhe SpaceX, ka të ngjarë të mos e kenë pritur mirë lajmin për krijimin e partisë dhe do të jenë duke e nxitur që të kthehet dhe të fokusohet në drejtimin e suksesshëm të kompanive të tij.

“Mendoj se bordet e drejtorëve të kompanive të tij duan që ai të kthehet dhe të drejtojë ato kompani, sepse këtë ai e bën më mirë se kushdo tjetër. Imagjinoj që ky njoftim për partinë e re nuk ka qenë aspak i mirëpritur prej tyre dhe do ta inkurajojnë të fokusohet tek aktivitetet e tij ekonomike dhe jo politike,” u shpreh Bessent.

Në përfundim të intervistës, Bessent theksoi se politika nuk është fusha ku Musk do të kishte suksesin që ka arritur në botën e inovacionit dhe teknologjisë.

Deklarata e tij vjen vetëm një ditë pasi Elon Musk njoftoi krijimin e partisë së re America Party,(Partia Amerika), një hap që ka ndezur menjëherë debat në skenën politike dhe në rrjetet sociale në SHBA.

Deri tani, Musk nuk ka dhënë detaje të qarta mbi programin politik apo mbi kandidatët që partia e tij do të mbështesë, por ky veprim ka ndezur menjëherë reagime të forta në median amerikane dhe në rrjetet sociale.