
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se një marrëveshje për një armëpushim në Rripin e Gazës mund të arrihet brenda javës së ardhshme, duke rritur shpresat për një zgjidhje diplomatike pas muajsh lufte shkatërrimtare mes Izraelit dhe Hamasit, përcjell Jerusalem Post.
Duke folur për gazetarët në bordin e avionit presidencial “Air Force One”, Trump tha se është i informuar pjesërisht për bisedimet në zhvillim dhe se ndonëse nuk ka të dhëna të plota, beson se një marrëveshje është e mundur shumë shpejt.
“Mund të ndodhë javën e ardhshme. Nuk jam informuar për çdo detaj, por po dëgjoj gjëra shumë pozitive,” – u shpreh Trump para gazetarëve.
Deklarata e tij vjen në një kohë kur përpjekjet ndërkombëtare për të ndërmjetësuar një armëpushim kanë hyrë në një fazë kritike, me ndërmjetës të përfshirë nga Egjipti, Katari dhe SHBA-të që po punojnë intensivisht për të bindur të dyja palët për një marrëveshje.
Megjithatë, asnjë palë nuk ka konfirmuar zyrtarisht përparim konkret në negociata, ndërsa luftime të ashpra vijojnë ende në disa zona të Gazës.