Vendosni fjalën kyçe....

Shkelje në kompleksin turistik në Dhërmi, në pranga inxhinieri i punimeve



Në kuadër të zbatimit të planit të masave për rendin dhe mbrojtjen e mjedisit në zonat turistike, strukturat e Policisë së Vlorës, në bashkëpunim me Agjencinë e Zhvillimit të Territorit (AZHT) dhe Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), kanë ushtruar një kontroll në një subjekt ndërtues në zonën e Gjilekës, Drimadhë, në fshatin Dhërmi.

Objekti në fjalë, i cili po ndërtohet me leje të miratuar për qëllime hotelerie dhe banimi, rezultoi me shkelje mjedisore dhe administrative.

Gjatë kontrollit, u konstatuan:

  • Depozitim i mbetjeve inerte ndërtimi në afërsi të objektit dhe në vijën bregdetare, duke shkaktuar ndotje të mjedisit;

  • Përdorim i objekteve banimi për strehim, ndonëse punimet dhe procedurat ligjore për vënien e tyre në funksion nuk ishin përfunduar.

Si rezultat, Policia e Himarës arrestoi në flagrancë Auren Dhono, 26 vjeç, inxhinier zbatues i projektit, i cili akuzohet për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”.

Nga ana e IKMT-së, u hartua një procesverbal për kundërvajtje administrative dhe objekti u bllokua, deri në marrjen e masave për eliminimin e shkeljeve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për vijimin e hetimeve.