
Zëdhënësja e Partisë së Lirisë, Jasmira Memelli, ka ngritur sot një akuzë të fortë ndaj qeverisë, duke deklaruar se 120 milionë euro të dhuruara nga Bashkimi Evropian për bujqësinë, blegtorinë dhe agropërpunimin janë shpërdoruar në mënyrë abuzive për ndërtimin e “pishinave dhe resorteve luksoze” në emër të investitorëve strategjikë.
Në një deklaratë për mediet, Memelli e cilësoi skemën e garancisë sovrane për bujqësinë si një “model të dështuar”, që sipas saj ka sjellë vetëm borxhe dhe faliment për fermerët shqiptarë.
“Pas kësaj vjedhjeje të pashembullt, qeveria del pa pikë turpi dhe ju fton të aplikoni për kredi me skemën famëkeqe të fondeve sovrane… Kjo është tallje, përbuzje dhe krim ekonomik”, deklaroi Memelli.
Sipas saj, asnjë euro nga fondet e BE-së dhe asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit nuk shkon për bujqësinë dhe fshatin, ndërsa shtoi se “fundi sovran është një mashtrim i radhës dhe një fasadë për të fshehur dështimin dhe korrupsionin”.
Në përfundim, Memelli u shpreh se Partia e Lirisë e ka bujqësinë një nga pesë prioritetet kryesore në programin e saj, duke synuar shndërrimin e Shqipërisë në një fuqi prodhuese dhe eksportuese.