Vendosni fjalën kyçe....

Trump kërcënon BE-në me tarifa 17% për eksportet ushqimore


Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar Bashkimin Evropian me vendosjen e tarifave 17% mbi eksportet ushqimore dhe bujqësore drejt SHBA-së, përfshirë produkte ikonike si çokollata belge, gjalpi Kerrygold nga Irlanda dhe vaji i ullirit nga Italia, Spanja dhe Franca – të gjitha produkte me shitje të larta në tregun amerikan, përcjell Guardian.

Kërcënimi u bë gjatë një takimi këtë javë në Uashington mes komisionerit të tregtisë së BE-së, Maroš Šefčovič, dhe zyrtarëve të lartë amerikanë, përfshirë sekretarin e thesarit Scott Bessent, përfaqësuesin tregtar Jamieson Greer dhe sekretarin e tregtisë Howard Lutnick.

Ambasadorët e BE-së janë informuar për kërcënimin të premten, ndërsa negociatat mes palëve po vazhdojnë. Edhe pse BE-ja shpreson ende në një marrëveshje politike në nivel të lartë, kjo lëvizje e SHBA-së shihet si një taktikë presioni dhe një qëndrim i ashpër në negociata. Trump e ka përshkruar më parë BE-në si “më e keqe se Kina” në tregti.

Trump deklaroi se nga 9 korriku do të dërgojë letra në mbi 60 vende, duke paralajmëruar tarifa të përhershme nga 10% deri në 70%, nëse nuk arrihet një marrëveshje tregtare me to – përfshirë Japoninë dhe Lesoton.

Zëdhënësi i tregtisë për BE-në, Olof Gill, tha se “prioriteti mbetet një zgjidhje e negociuar” dhe konfirmoi se ka pasur përparim në bisedimet e fundit. Negociatat do të vijojnë edhe gjatë fundjavës për të gjetur një zgjidhje “thelbësore”.

Megjithatë, Komisioni Evropian është i përgatitur edhe për një përplasje tregtare, me kundërmasa që do të prekin mallra amerikane si Bourbon dhe avionët Boeing 747, nëse SHBA tërhiqet nga negociatat para së mërkurës.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha nga Danimarka se BE po kërkon një marrëveshje kuadër politike, jo një marrëveshje të plotë, për shkak të afatit të shkurtër kohor. Si pjesë e marrëveshjes, BE kërkon gjithashtu lehtësim të menjëhershëm nga tarifat ekzistuese në sektorë kyç si industria e makinave, që aktualisht përballet me tarifë 27.5%, nga vetëm 2.5% para se Trump të niste ofensivën tregtare.

Afati 90-ditor i “tarifave të çlirimit” të Trump skadon të mërkurën për mbi 60 vende, përfshirë edhe BE-në, e cila tani përballet me kërcënimin e tarifave deri në 50%.