
Hamas i ka dorëzuar një përgjigje “pozitive” ndërmjetësuesve për propozimin e armëpushimit dhe lirimit të pengjeve të premten në mbrëmje, ka bërë të ditur për agjencinë Reuters një zyrtar palestinez i njohur me çështjen.
“Ne ia kemi dorëzuar ndërmjetësuesve, Katarit dhe Egjiptit, përgjigjen tonë për propozimin e armëpushimit,” tha zyrtari i Hamasit në kushte anonimiteti, duke shtuar se kjo përgjigje “duhet të ndihmojë për arritjen e një marrëveshjeje mes Hamasit dhe Izraelit”.
Sipas Al-Arabiya, ndërmjetësit nga Katari kanë marrë një garanci nga SHBA se lufta nuk do të rinisë pas përfundimit të një armëpushimi 60-ditor. Hamas mësohet se ka kërkuar gjithashtu që SHBA të bëhet garantuese zyrtare për një fund të përhershëm të luftës.
Kjo zhvillim vjen pasi më herët të premten, Hamas konfirmoi se po diskutonte propozimin për armëpushim të SHBA-Katarit me fraksionet e tjera palestineze.
Presidenti amerikan Donald Trump kishte deklaruar të enjten se priste një përgjigje nga Hamas brenda 24 orëve në lidhje me marrëveshjen e armëpushimit.
Çfarë parashikon marrëveshja e propozuar?
Propozimi, i bazuar në kuadrin e Witkoff dhe i paraqitur nga Katari, parasheh një armëpushim 60-ditor, gjatë të cilit do të lirohen 10 pengje izraelite të gjalla dhe do të kthehen trupat e 18 pengjeve të vrarë. Në këmbim, Izraeli do të lirojë 125 të burgosur palestinezë si dhe 1,111 gazanë të arrestuar pas 7 tetorit, sipas burimeve të Channel 14 në Izrael.
Gjatë këtij armëpushimi, palët do të zhvillojnë negociata për një fund të përhershëm të konfliktit.
Një takim mes zyrtarëve të lartë të Hamasit u zhvillua të enjten në Turqi për të shqyrtuar këtë kornizë të re propozimi.
Kjo është një nga përpjekjet më serioze për të arritur paqe pas muajsh të tërë përplasjesh të përgjakshme mes Hamasit dhe Izraelit.