
Në një deklaratë për mediat, nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe këshilltar ekonomik i Partisë Demokratike, Dorian Teliti, ngriti alarmin për situatën e rëndë ekonomike dhe sociale në vend, duke theksuar se shqiptarët po përballen me probleme të shumta dhe me një cilësi jete më të ulët se çdo vend tjetër europian.
Teliti u ndal te raporti më i fundit i Numbeo-s, i cili e ka renditur Shqipërinë në vendin e fundit në Europë sa i përket cilësisë së jetesës.
Sipas tij, shqiptarët kanë fuqinë blerëse më të ulët në kontinent, madje edhe më keq se Ukraina, një vend në luftë.
Ai theksoi se familjet shqiptare detyrohen të shpenzojnë të paktën 40% të të ardhurave të tyre për ushqim, ndërkohë që mesatarja europiane është tre herë më e ulët.
“Jemi të fundit në Europë për cilësinë e jetës, për kujdesin shëndetësor, për ndotjen e ambientit dhe për mundësitë e të rinjve. Shqipëria është vendi ku për të blerë një apartament, qytetarët duhet të punojnë më shumë vite se në çdo shtet tjetër europian”, deklaroi Teliti.
Ai shtoi se shqiptarët përballen me çmime të larta, paga të ulëta dhe shërbime publike në përkeqësim të vazhdueshëm, ndërsa arsimi dhe bujqësia janë lënë në harresë.
Sipas tij, situata është pasojë e një qeverisjeje të papërgjegjshme dhe arrogante gjatë 12 viteve të fundit.
“Çmimet kanë dalë jashtë kontrollit, pagat janë më të ultat në Europë, korrupsioni është endemik, tenderimet dhe fondet publike keqpërdoren, ndërsa shqiptarët çdo ditë e më shumë po largohen nga vendi”, vijoi ai.
Duke theksuar se këto nuk janë opinione, por të dhëna të bazuara në fakte, Teliti kërkoi ngritjen e një qeverie teknike që sipas tij është rruga e vetme për t’i dhënë fund krizës.
“Vetëm një qeveri teknike e çliruar nga kontrolli politik mund të krijojë besim dhe të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme për shqiptarët. Vetëm kështu Shqipëria mund të hyjë në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe të jetë e gatshme për integrimin në Bashkimin Europian”, deklaroi ai.
Në përfundim, Teliti u bëri thirrje qytetarëve që të mos bien pre e premtimeve boshe, por të kërkojnë ndryshimin përmes një procesi të ndershëm demokratik.