
Kryeministri Edi Rama ka thirrur sot një takim me deputetët e zgjedhur të qarkut Tiranë dhe përfaqësues të Bashkisë së kryeqytetit, me qëllim koordinimin mbi punët dhe prioritetet e përbashkëta mes qeverisë dhe pushtetit vendor.
Takimi po zhvillohet në një prej hoteleve të Tiranës, ku Kryeministri ka mbërritur pak para nisjes zyrtare. E pranishme në mbledhje është edhe e deleguara në krye të Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani.
Burime pranë takimit bëjnë me dije se diskutimet do të fokusohen në harmonizimin e projekteve zhvillimore për qytetin dhe bashkëpunimin ndërinstitucional pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.
I pari që mbërriti në takim ishte ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, i cili më 11 maj u zgjodh për herë të parë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Takimi pritet të shërbejë si një platformë fillestare për strukturimin e veprimit politik dhe administrativ në nivel vendor dhe qendror në Tiranë.