
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ritheksuar se konstituimi i Kuvendit brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese është një detyrim kushtetues dhe jo një opsion politik. Në ditën e dytë të konsultimeve me partitë parlamentare, Osmani u bëri thirrje liderëve politikë të gjejnë sa më parë një zgjidhje për bllokimin disa mujor të institucioneve pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Vetëm me konstituimin e Kuvendit mund të ecim përpara drejt formimit të qeverisë së re,” theksoi Osmani, duke u bërë thirrje partive që të dalin nga ngërçi politik që po mban vendin pa institucione funksionale prej katër muajsh.
Në konsultimet e së enjtes, Osmani priti përfaqësues të partive më të vogla dhe të komuniteteve joshumicë, përfshirë Faton Peci nga Guxo, Mimoza Kusari-Lila nga Alternativa, dhe përfaqësues të partive turke, serbe, boshnjake, rome e gorane. Të mërkurën ajo zhvilloi takime me krerët e partive kryesore: Albin Kurti (VV), Memli Krasniqi (PDK), Lumir Abdixhiku (LDK) dhe Ramush Haradinaj (AAK).
Përkundër 41 votimeve të dështuara, Kuvendi nuk ka arritur ende të zgjedhë kryetarin dhe nënkryetarët e tij, për shkak të mungesës së një konsensusi mbi mënyrën e votimit. Lëvizja Vetëvendosje insiston për votim të fshehtë, pas dështimit të kandidaturës së Albulena Haxhiut në votimin e hapur, ndërsa partitë e tjera refuzojnë ndryshimin e procedurës.
Vetëvendosja është partia e parë në zgjedhje me 48 ulëse, por i mungojnë 13 vota për të formuar shumicën prej 61 deputetësh. Procesi i formimit të qeverisë mund të nisë vetëm pas konstituimit të Kuvendit.
Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, afati për këtë proces përfundon më 26 korrik.