Vendosni fjalën kyçe....

Kuvendi/ Tabaku e Braçe i drejtohen Malajt: Bujqësia në krizë. Ministri: 4-fishuam buxhetin


Rishikimi i dytë i buxhetit për vitin 2024 u shoqërua me debate të forta në seancën e fundit plenare të Kuvendit.

Opozita, por edhe deputetë të Partisë Socialiste, ngritën shqetësimin për krizën në të cilën ndodhet sektori i bujqësisë dhe kërkuan më shumë mbështetje financiare për fermerët.

Deputetja demokrate Jorida Tabaku theksoi se bujqësia në vend është në rënie të vazhdueshme dhe se mungon një vizion për zhvillimin e saj.

 “Ka pesë vite me radhë që bujqësia është ose në rënie ose në zero. Sot nuk prodhohet më siç duhet, fshati nuk është më gjallë,” u shpreh Tabaku, duke shtuar se procesi i integrimit europian është kthyer vetëm në letra, pa ndonjë përfshirje reale të qytetarëve dhe sektorëve kyç si bujqësia.

Në të njëjtën linjë ishte edhe deputeti socialist Erion Braçe, i cili i drejtoi kritika të ashpra ministrit të Financave, Petrit Malaj, duke iu referuar raporteve të INSTAT që tregojnë tkurrjen e sektorit bujqësor.

 “Ka tre vjet që bujqësia është në rënie. E shikon këtë grafikun? Ka tre vite që bujqësia është kështu,” tha Braçe, duke i treguar ministrit të dhëna zyrtare.

Ministri i Financave Petrit Malaj, duke iu përgjigjur kritikave, u shpreh se bujqësia ka përfituar më shumë fonde në vitet e fundit.

“Në vitin 2013 bujqësia përfitonte 34 milionë euro, ndërsa në vitin 2024 janë alokuar 146 milionë euro,” theksoi ministri.

Por kjo nuk e bindi deputetin Braçe, i cili kundërshtoi mënyrën e mbështetjes përmes garancisë sovrane prej 3 miliardë lekësh që sipas tij nuk i ndihmon realisht fermerët.

“Pse 3 miliardë lekë që bujqit të marrin borxh dhe jo injektim direkt? Ky borxh nuk kthehet në prodhim. Bujku ka nevojë për para që të financojë prodhimin,” u shpreh ai.

Një tjetër pikë e nxehtë e debatit ishte edhe përdorimi i Aktit Normativ për të kryer rishikimin e buxhetit.

Ministri Malaj theksoi se ky është një instrument fleksibël për të përshtatur shpenzimet në kohë reale dhe për të përshpejtuar projektet prioritare.

 “Rishikimi i Ligjit për Buxhetin përmes Aktit Normativ përbën instrumentin më të përshtatshëm për adaptimin e tij në kohë,” deklaroi Malaj.

Por Erion Braçe kundërshtoi sërish duke theksuar se kjo nuk është një praktikë e konsoliduar kushtetuese dhe se i heq Kuvendit të drejtën për të vendosur mbi buxhetin.

Ai e cilësoi gjithashtu problematike mosrealizimin e shpenzimeve publike, duke theksuar se vitin e kaluar buxheti i shtetit nuk u realizua për 418 milionë euro dhe se kjo tregon paaftësi qeveritare për të investuar.

Në përfundim të diskutimeve, përmes këtij rishikimi u njoftua se përveç garancisë për bujqësinë, do të jepen edhe 56 milionë euro për forcimin e sigurisë digjitale, ndërsa në total rialokohen 118 milionë euro në projekte të ndryshme.