Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Informuam OSBE-në dhe EPP-në me faktet e farsës së 11 majit, Shqipëria po shndërrohet në narkoshtet


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se gjatë pjesëmarrjes në sesionin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Porto të Portugalisë dhe në takimin me grupin parlamentar të Partisë Popullore Europiane (EPP) ka prezantuar prova të qarta dhe të faktuara për manipulimin e zgjedhjeve të 11 majit në Shqipëri.

“Isha në Porto të Portugalisë, ku zhvilloi punimet sesioni i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. Siç e dini, institucionet e OSBE-së janë institucione të besimit të plotë të vendeve anëtare sa i takon zhvillimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme,” deklaroi Berisha.

Ai akuzoi qeverinë për përdorim të burimeve shtetërore për blerjen e votës dhe për deformimin e procesit zgjedhor, duke e cilësuar situatën në vend si alarmante: “Shqipëria po shndërrohet në narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë. Një narkoshtet që manipulon vullnetin qytetar dhe përdor çdo mekanizëm të paligjshëm për të qëndruar në pushtet.”

Berisha theksoi se interesimi i presidentes së grupit parlamentar të EPP-së, zonjës Gundrun Kugler, si dhe i anëtarëve të tjerë të këtij grupi, ishte shumë i madh.

 “Falënderoj zonjën Kugler për mundësinë që na dha të bëjmë një ekspoze të plotë dhe të faktuar të farsës elektorale që ndodhi në Shqipëri më 11 maj 2025,” u shpreh ai.

Në fjalën e tij, kreu i PD renditi një sërë shkeljesh që, sipas tij, dëshmojnë për manipulimin e zgjedhjeve: “Informuam për përdorimin e gjysmë miliardi euro për prokurime publike në kundërshtim flagrant me ligjin. Për organizimin e mbi 4500 eventeve kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë Giro d’Italia, me qëllim ndikimin te zgjedhësit.”

Gjithashtu, Berisha akuzoi qeverinë për përdorimin e administratës publike në fushatë dhe për shpërndarjen e masive të lejeve të legalizimeve dhe certifikatave të pronësisë në këmbim të votës: “U përdor një armatë punonjësish të administratës publike që janë të paguar nga taksapaguesit shqiptarë, por që u shndërruan në policë elektoralë për të kontrolluar dhe blerë votën e qytetarëve.”

Një tjetër shqetësim i ngritur ishte ai i të dhënave personale të qytetarëve: “Ne paraqitëm prova për dorëzimin e të dhënave sekrete të qytetarëve te patronazhistët për t’i kërcënuar dhe mikluar në këmbim të votës.”

Berisha denoncoi gjithashtu fenomenin e kultivimit të kanabisit për qëllime elektorale: “Në Shqipëri janë mbjellë 29 mijë hektarë kanabis, ndërkohë që ligji lejon vetëm 200 hektarë. Kjo është bërë për të financuar blerjen e votave dhe për të konsoliduar narkoshtetin.”

Ai shtoi se opozita ka vënë në dispozicion të OSBE-së dhe EPP-së edhe të dhëna për mekanizmin e njohur si ‘treni bullgar’ dhe për abuzimet me votën e diasporës: “I informuam për rinumërimin e fletëve të votimit, për manipulimet masive dhe për shtetëzimin e votës së diasporës.”

Berisha u shpreh i bindur se informacioni i dhënë ka qenë i qartë dhe i argumentuar: “Mendoj se audienca, me lajmet, me dokumentet dhe provat që dërguam, mori informacionin më të vërtetë dhe më të duhur për farsën elektorale të 11 majit.”