
Elbasani është goditur nga një situatë emergjente pas disa vatrave zjarri që përfshinë disa zona periferike të qytetit. Zjarri më i fuqishëm shpërtheu në fushën e grumbullimit të mbetjeve (landfilli i inceneratorit), rreth orës 17:10, dhe pas më shumë se 10 orësh përpjekjesh, vatra mbetet ende aktive në thellësi të mbetjeve. Re të mëdha tymi toksik vijojnë të përhapen mbi qytet.
Në total, u angazhuan 15 mjete zjarrfikëse dhe mbi 100 efektivë nga qarku i Elbasanit, si dhe forca ndihmëse nga Kamza, Tirana dhe Berati. Sipas Arben Carës, Drejtor i Përgjithshëm i Zjarrfikëses, ndërhyrjet në landfille janë ndër më të vështirat për shkak të përmasave dhe temperaturave të larta në thellësi. Ai kërkoi ndëshkimin e çdo akti zjarrvënieje të qëllimshme.
Ndërkohë, vatrat në fshatrat Mëngël dhe Samurr u neutralizuan me shpejtësi nga zjarrfikësit lokalë.