
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të martën se Izraeli ka rënë dakord për kushtet e një armëpushimi 60-ditor në Gaza dhe i bëri thirrje Hamasit ta pranojë sa më parë këtë marrëveshje, përndryshe – siç paralajmëroi – situata vetëm do të përkeqësohet.
Trump dha lajmin ndërsa po përgatitet të presë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në një takim në Shtëpinë e Bardhë të hënën. Ai ka shtuar presionin mbi të dyja palët Izraelin dhe Hamasin për të arritur një marrëveshje për ndaljen e përkohshme të luftimeve dhe për lirimin e pengjeve.
“Përfaqësuesit e mi zhvilluan një takim të gjatë dhe produktiv me izraelitët për çështjen e Gazës. Izraeli ka pranuar kushtet për të finalizuar një ARMËPUSHIM 60-ditor, gjatë së cilit do të punojmë me të gjitha palët për t’i dhënë fund luftës,” shkroi Trump në një postim, duke theksuar se Katari dhe Egjipti do të paraqesin zyrtarisht propozimin përfundimtar.
“Shpresoj, për të mirën e Lindjes së Mesme, që Hamasi ta pranojë këtë marrëveshje, sepse ajo nuk do të përmirësohet – do të përkeqësohet vetëm,” paralajmëroi ai.
Trump e konsideroi këtë si ofertën e tij më të mirë dhe përfundimtare, ndonëse skepticizmi i Hamasit mbetet i lartë. Edhe më herët, përpara skadimit të armëpushimeve të mëparshme, ai ka lëshuar ultimatume dramatike në përpjekje për të bindur Hamasin të pranojë ndërprerje më të gjata të luftimeve që do të mundësonin lirimin e më shumë pengjeve dhe shtimin e ndihmave humanitare për civilët në Gaza./AP