
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim me Presidenten e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Pia Kauma, dhe Sekretarin e Përgjithshëm Roberto Montella, ku kërkoi krijimin e një qeverie teknike sa më parë, përpara se situata në vend të përkeqësohet më tej.
I shoqëruar nga kreu i FRPD-së Fatmir Mediu dhe deputetja Albana Vokshi, Berisha argumentoi se parlamenti i dalë nga zgjedhjet e 11 majit 2025 nuk përfaqëson vullnetin real të qytetarëve shqiptarë dhe kërkoi mbështetjen e OSBE-së për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Në deklaratën e shpërndarë nga Partia Demokratike, Berisha shprehu mirënjohje për angazhimin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në mbrojtjen e vlerave demokratike dhe për rolin e saj në monitorimin e zgjedhjeve të fundit.
Ai informoi zyrtarët ndërkombëtarë mbi situatën e rëndë në Shqipëri, të cilën e përshkroi si narco-shtetin e parë dhe të vetëm në Europë. Sipas tij, që nga viti 2015 ka pasur kultivim masiv të kanabisit, ndërsa pak javë para zgjedhjeve u dhanë 138 licenca për prodhimin e tij, kryesisht në zona kufitare.
Berisha akuzoi Kryeministrin Edi Rama se ka favorizuar grupe kriminale në këmbim të mbështetjes së tyre elektorale, ndërsa këto grupe janë përfshirë në trafik droge nga Amerika Latine dhe disa prej tyre kanë lidhje me kartele ndërkombëtare si “Sinaloa”.
Ai foli gjithashtu për forcimin e karteleve të drogës brenda territorit shqiptar, si rrjeti Troplini/Poja në qarkun e Durrësit që, sipas tij, kontrollon portin më të madh të vendit, si dhe për kartelin Çela që menaxhon trafikun e heroinës nga lindja.
Sipas tij, këto dhe grupe të tjera kriminale kanë ndikuar në procesin zgjedhor, duke mbështetur 28 kandidatë në 10 qarqe dhe 21 bashki, ku më shumë se 20 prej tyre pritet të jenë pjesë e parlamentit të ardhshëm.
Berisha ngriti shqetësimin se Shqipëria është kthyer në lavatriçen më të madhe në Europë për pastrimin e parave të krimit.
Duke iu referuar të dhënave të Eurostat, ai tha se indeksi i ndërtimit në Shqipëri është trefishuar në vitet e fundit, ndërkohë që rritja ekonomike vjetore është rreth 3% dhe sektorët si industria, eksportet dhe bujqësia kanë pësuar rënie të vazhdueshme.
Po ashtu, ai përmendi hetimet e autoriteteve ligjzbatuese në Francë, Belgjikë dhe Hollandë, të cilat kanë zbuluar komunikime të dyshimta që përfshijnë zyrtarë të nivelit të lartë, me përqendrim të madh në zyrën e Kryeministrit, ku sipas tij ndodhet edhe një koordinator për veprimtarinë e karteleve të drogës.
Sipas Berishës, Kryeministri Rama ka shkelur në mënyrë të përsëritur Kodin Zgjedhor, përfshirë faljen e gjobave në vlerën 200 milionë euro vetëm dy ditë para zgjedhjeve, organizimin e 4,255 aktiviteteve publike gjatë katër muajve të fundit, shpërndarjen e një bonusi prej 100 euro për rreth 760 mijë pensionistë, si dhe prokurime të orientuara për përfitime elektorale.
Ai përmendi edhe ngjarje si Giro d’Italia, të cilat, sipas tij, janë përdorur për qëllime propagandistike.
Në vijim, Berisha dënoi rikthimin e një sistemi patronazhist të ngjashëm me periudhën komuniste, ku çdo nëpunës civil ishte i detyruar të siguronte 10 deri në 15 votues për të ruajtur vendin e punës.
Ai tha se janë shpërndarë 138 licenca për kultivimin e kanabisit, një shifër që është 147 herë më e lartë se ajo që lejon ligji, i cili parashikon vetëm 200 hektarë.
Berisha përfundoi duke theksuar se në zgjedhjet e fundit, shteti dhe partia në pushtet janë shkrirë në një të vetme, duke ushtruar presion, blerje votash dhe kontroll mbi mbi 90% të medias.
Sipas tij, janë shkelur të gjitha kriteret e Kopenhagës dhe konventat demokratike ndërkombëtare.