
Pas deklaratave të politikanit britanik Nigel Farage se “1 në 50 shqiptarë në Angli është në burg”, dhe replikave me kryeministrin Rama, ka reaguar edhe aktorja shqiptare Delinda Disha, duke e cilësuar pretendimin si të pavërtetë dhe ofendues ndaj një komuniteti që, sipas saj, kontribuon ndershmërisht në shoqërinë britanike.
Në një videomesazh, Disha i kujtoi Farage realitetin e jetës në rrugët e Londrës, ku u shpreh se të rinjtë britanikë shpesh dehen dhe sillen në mënyrë të shthurur, ndërsa shqiptarët punojnë dhe paguajnë taksa.
“Na lakojnë shumë për kaq pak sa jemi. Por ne punët i bëjmë me besë dhe krenari,” tha aktorja, duke shtuar se Farage, nëse viziton Shqipërinë, do të pritet si mik dhe do të trajtohet me nder, siç është tradita shqiptare.
Video-mesazhi:
“Doja të përshëndesja pak atë deputetin anglez, Nigel Farage. I dashur deputet para se të vish dhe të vizitosh vendin tonë të mrekullueshëm, Shqipërinë, se sapo ndoqa lajmet dhe pashë që e kishe pranuar ftesën që të ka bërë kryeministri Edi Rama.
Të ftoj që në fundjavë të dalësh në këmbë dhe të shohësh se si dehen dhe pshuren dhe degjenerohen djemtë edhe vajzat e reja aty në Londër në Angli. Marr spuntën dhe jam shumë e sigurt te kjo që po them se pjesa dërmuese e shqiptarëve që kanë shkuar atje janë njerëz të ndershëm dhe punëtorë. Ata kontribuojnë dhe paguajnë taksat për atë vend.
Ndërsa tani po mendoj, sa pak që jemi dhe sa shumë që na lakojnë. I bie që ne e bëjëm vezën me dy të kuqe. Por, jemi pak edhe saktë edhe ato punë që i bëjmë i bëjmë me besë dhe krenari. Aty në Angli ti ke lloj lloj popujsh, lloj lloj racash, indianët, polakët, mund të merresh me ata.
Por unë jam e bindur deputeto që ti sa të shkelësh në Shqipëri do të ndihesh Zot sepse shqiptari kështu e ka, kur miku i vjen në shtëpi, shtëpia është e Zotit dhe e mikut”, e përmbyll aktorja këtë videomesazh për politikanin britanik.”