Vendosni fjalën kyçe....

Aksionet e Oracle rriten në qiell pas kontratës 30 miliardë dollarëshe për shërbimet kompjuterike


Marrëveshja pothuajse trefishon të ardhurat prej 10.3 miliardë dollarësh që Oracle gjeneroi nga biznesi i qendrave të të dhënave në vitin fiskal 2025 © Bloomberg

Aksionet e Oracle u rritën në një nivel rekord, ndërsa gjiganti i bazave të të dhënave njoftoi një kontratë prej 30 miliardë dollarësh për cloud computing me vlerë pothuajse trefishin e të ardhurave vjetore që fiton nga divizioni i tij me rritjen më të shpejtë.

Grupi i teknologjisë, i cili vlerësohet në rreth 620 miliardë dollarë, tha në një dokument rregullator të hënën se kishte nënshkruar një marrëveshje që do fillonte të sillte të ardhura në vitin 2028.

Aksionet e Oracle u rritën me 4.9% në mesditë në New York, por më parë kishin fituar deri në 8.6% duke arritur një nivel rekord prej 228.22 dollarësh. Aksionet e kompanisë janë rritur me rreth një të tretën e vitit deri më sot, shkruan FT.

Drejtori ekzekutiv Safra Catz tha se kompania kishte “një fillim të fortë” në vitin fiskal 2026 pasi kishte nënshkruar “marrëveshje të shumta të mëdha për shërbime cloud”. Kompania më parë kishte reklamuar një marrëveshje me platformën kineze të tregtisë elektronike Temu.

Oracle nuk e zbuloi emrin e klientit, megjithëse themeluesi Larry Ellison tha në mars se ai priste që Oracle të nënshkruante kontratën e saj të parë me projektin e qendrës së të dhënave Stargate të OpenAI dhe SoftBank prej 500 miliardë dollarësh “shumë shpejt”.

Marrëveshja prej 30 miliardë dollarësh është një pikë e rëndësishme për Oracle, pasi përfaqëson thuajse trefishin e të ardhurave prej 10.3 miliardë dollarësh që kompania prodhoi nga biznesi i saj i qendrave të të dhënave në vitin fiskal 2025.

Kompania me seli në Austin, Teksas, hyri ngadalë në tregun e cloud computing, por ka përjetuar një rritje të ndjeshme të kërkesës për infrastrukturën e qendrave të të dhënave, me 52% rritje në tremujorin e saj më të fundit, ndërsa kompanitë kërkojnë fuqi kompjuterike për të drejtuar inteligjencën artificiale.