
Partia e Lirisë ka reaguar ashpër ndaj nisjes së gjyqit për çështjen “Partizani”, ku i pandehur është Sali Berisha, duke e cilësuar seancën e parë si një proces politik të diktuar nga kryeministri Edi Rama.
Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në PL, Tedi Blushi, deklaroi se drejtësia në Shqipëri po vepron me porosi politike, ashtu siç ka vepruar sipas tij edhe në rastin e Ilir Metës.
“Partia e Lirisë dënon me forcë procesin gjyqësor politik në kuadër të së ashtuquajturës çështje ‘Partizani’, një farsë e turpshme dhe shembull tipik i kapjes për fyti të drejtësisë nga regjimi autokratik dhe i korruptuar i ‘Ramaduros’. Ky proces është jo vetëm një sulm politik ndaj liderit historik të Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, por edhe një dëshmi e qartë se drejtësia është kthyer në një armë të pushtetit për të asgjësuar opozitën dhe pluralizmin politik”, – u shpreh Blushi.
Ai theksoi se nëse SPAK do të kishte vërtet vullnet për të hetuar thellësisht rastin, personi i parë që duhej marrë i pandehur sipas tij është Edi Rama, si nënshkrues i dokumenteve për tjetërsimin e pronës së klubit “Partizani”.
“SPAK ka harxhuar tre vite për të sajuar një dosje ndaj Berishës pa asnjë fakt penal. Ndërkohë nuk ka guxuar të hetojë apo të marrë të pandehur kryeministrin që është kapur në dhjetëra afera korruptive me firmë dhe vulë”, – tha Blushi.
Sipas tij, dosja ndaj Berishës është ndërtuar pas një urdhri të dhënë nga Rama në maj të vitit 2022, gjatë Asamblesë së PS-së, për të ndjekur penalisht Berishën dhe Metën.
Blushi theksoi gjithashtu se toka në çështje është pronë private e trashëguar nga pesë familje të Tiranës, përfshirë edhe familjen e gjyshërve të dhëndrit të Berishës, dhe se nuk ka pasur asnjë përvetësim të tokës publike apo dëm ndaj shtetit.
“Nuk ka asnjë metër katror tokë publike të përvetësuar, asnjë qindarkë dëm për financat publike dhe asnjë akt shtetëror të ndërhyrë nga z. Berisha”, – përfundoi Blushi.