
Një zjarr ka përfshirë pasditen e sotme zonën naftëmbajtëse në qytetin e Kuçovës, duke alarmuar banorët për shkak të afërsisë me puset e naftës që ndodhen në funksion. Zjarri shpërtheu në kallamishtet pranë një lagjeje të banuar dhe, për shkak të përmasave që mori, vuri në rrezik edhe banesat përreth.
Menjëherë pas sinjalizimit, shërbimi zjarrfikës i Kuçovës u përforcua me të gjitha forcat zjarrfikëse të Beratit, në përpjekje për të shmangur një katastrofë të mundshme industriale dhe njerëzore. Flakët përparuan me shpejtësi për shkak të erës dhe temperaturave të larta, duke krijuar një situatë të rrezikshme.
Pas më shumë se një ore ndërhyrjeje intensive, zjarri u vu nën kontroll dhe fatmirësisht nuk u shënuan dëme në puset e naftës apo në banesat e lagjes. Sipas autoriteteve, janë djegur rreth 2 hektarë me ferra, shkurre dhe kallamishte, ndërkohë që disa vatra të vogla pranë puseve të naftës vijojnë të monitorohen nga shërbimet zjarrfikëse për të shmangur rindezjen.
Autoritetet kanë apeluar për kujdes të shtuar gjatë ditëve të nxehta, ndërsa hetimet paraprake pritet të hedhin dritë mbi shkaqet e rënies së zjarrit.