
Në Beograd, kryeqytetin e Serbisë, janë duke u zhvilluar dy protesta të ndara në Ditën e Vidovdanit, një datë me simbolikë të veçantë kombëtare për serbët.
Njëra protestë është organizuar nga studentë që prej fundvitit 2024 kanë bllokuar universitetet në nivel shtetëror, duke kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Ata i konsiderojnë institucionet përgjegjëse për shembjen e një strehe në stacionin hekurudhor të Novi Sadit në nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona.
Protesta e studentëve, e quajtur “Shihemi në Ditën e Shën Vidit”, nisi në Sheshin e Sllavija në pasditen e së shtunës. Studentët kërkojnë që qeveria t’i propozojë presidentit Aleksandar Vuçiç shpërndarjen e parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja. Ata kanë kërkuar gjithashtu ndërprerjen e tubimit paralel të mbështetësve të qeverisë, duke i vendosur autoriteteve një ultimatum deri në orën 21:00 për plotësimin e kërkesave.
Nga ana tjetër, përballë ndërtesës së parlamentit janë mbledhur mbështetësit e presidentit Vuçiç, të cilët po organizojnë një tubim simbolik të quajtur “mbrëmje letrare”. Ata pretendojnë se janë aty për të lexuar dhe mësuar, si një formë kundërpërgjigjeje paqësore ndaj protestës studentore.
Presidenti Vuçiç, në një deklaratë të dhënë më 27 qershor, ka refuzuar ultimatumin e studentëve. Ndërkohë, autoritetet kanë arrestuar gjashtë persona të dyshuar për përgatitje të një “përmbysjeje të dhunshme të rendit kushtetues”. Protestuesit studentorë i kanë hedhur poshtë këto akuza dhe kanë theksuar se lëvizja e tyre është e qetë dhe kundër çdo forme dhune.
Kjo përplasje mes të rinjve protestues dhe pushtetit ndodh në një ditë me ngarkesë të lartë emocionale dhe historike për Serbinë, pasi Vidovdani shënon kujtimin e betejës së famshme të Kosovës kundër Perandorisë Osmane në vitin 1389.