
Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka reaguar ashpër ndaj nismës së Partisë Socialiste për krijimin e një Akademie të re Politike, duke e cilësuar si një “strukturë për të trajnuar hajdutët e rinj”.
Në një deklaratë publike, Balliu akuzoi emra të njohur të PS-së për korrupsion dhe bashkëpunim me krimin, duke ironizuar se përmes kësaj akademie, deputetët e rinj do të mësojnë “si të vjedhin profesionalisht”.
“Për shembull,” tha Balliu, “Olta Xhaçka do t’u mësojë si të përvetësojnë tokat në bregdet, Taulant Balla do i mësojë se si të bashkëpunojnë me krimin e organizuar, ndërsa Belinda Balluku do japë leksione mbi abuzimin me energjinë dhe infrastrukturën.” Ai shtoi se “Edi Rama do të jetë mentori që do t’u shpjegojë si të ndërtosh një narko-shtet në zemër të Europës.”
Balliu e cilësoi Akademinë e PS-së si një akt propagandistik dhe theksoi se, sipas tij, kjo është një përpjekje për të institucionalizuar korrupsionin dhe lidhjet me krimin. Deri më tani, Partia Socialiste nuk ka reaguar ndaj deklaratës së Balliut.