
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) dhe Shërbimi i Sigurisë së Brendshme Shin Bet njoftuan të shtunën në mbrëmje se kanë vrarë Hakham Muhammad Issa al-Issa, një anëtar të lartë të krahut ushtarak të Hamasit, gjatë një sulmi të gjerë ajror në lagjen Sabra të qytetit të Gazës, ditën e premte, përcjell Jerusalem Post.
Issa mbante së fundmi rolin e kreut të operacioneve mbështetëse të luftës në strukturat e Hamasit dhe konsiderohej si një nga figurat themeluese të organizatës. Ai ishte një ndër drejtuesit më të lartë të mbetur gjallë të Hamasit që mbante funksione të rëndësishme para sulmit të 7 tetorit dhe që ende ndodhej brenda Rripit të Gazës.
Sipas burimeve izraelite, ai ishte i përfshirë drejtpërdrejt në planifikimin e sulmit të 7 tetorit dhe në ngritjen e infrastrukturës trajnuese të Hamasit. Gjithashtu, ai ishte bashkëthemelues i akademisë ushtarake të Brigadave Izz al-Din al-Qassam dhe kishte drejtuar trajnimet e mijëra militantëve, duke ndikuar strukturën organizative të krahut ushtarak të Hamasit.
Issa u zhvendos në Gaza në vitin 2005 nga Siria dhe kishte përvojë luftarake nga Iraku dhe Siria, të cilën e kishte kombinuar me njohuri shkencore e teknike. Gjatë sulmit ajror ai ndodhej në shoqërinë e bashkëshortes dhe nipit të tij, për të cilët nuk është konfirmuar ende gjendja.
Ky është eliminimi më i fundit në një seri operacionesh ajrore që IDF ka ndërmarrë ndaj figurave të rëndësishme të Hamasit dhe organizatave të tjera ekstremiste në Gaza. Javën e kaluar, IDF njoftoi gjithashtu eliminimin e kreut të krahut ushtarak të Kataib al-Mujahideen, Mahmoud Muhammad Hamid Kuhail (Abu al-Mu’tasim), dhe drejtuesit të kësaj organizate, As’ad Abu Sharaiya.
Kataib al-Mujahideen është një grup i vogël, por shumë i rrezikshëm dhe i strukturuar në mënyrë të tillë që të shmangë monitorimin e inteligjencës izraelite. Ky grup është lidhur me masakrën e 7 tetorit, ku u rrëmbyen dhe u vranë civilë izraelitë, përfshirë fëmijë, të huaj dhe çifte me shtetësi të shumëfishta.
Operacionet e fundit të Izraelit vijnë në kohën kur qeveria përballet me presion ndërkombëtar për përparim në drejtim të zgjidhjes për shtetin palestinez, ndërkohë që situata në Bregun Perëndimor mbetet gjithashtu e tensionuar.