Vendosni fjalën kyçe....

Trump: Shpëtova Khamenein nga një vdekje e turpshme


Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se i ka shpëtuar jetën liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, duke ndalur një sulm ajror masiv të përgatitur nga Izraeli drejt Teheranit gjatë luftës 12-ditore mes Iranit dhe Izraelit, përcjell Jerusalem Post.

Në një postim në platformën Truth Social, Trump shkruan: “Shpëtova Khamenein nga një VDEKJE SHUMË E SHËMTUAR DHE E TURPSHME”, duke shtuar se e dinte vendndodhjen e tij, por kishte ndaluar çdo veprim për eliminimin e tij.

Trump pretendoi se një grup i madh avionësh izraelitë ishte nisur drejt kryeqytetit iranian për një “ditë të madhe, ndoshta nokautin përfundimtar”, por ai kërkoi të ndalej ofensiva. “Po të mos ndërhyja, do të ishte sulmi më i madh i luftës, pa dyshim”, shkruan Trump.

Kjo deklaratë vjen pasi Khamenei e kishte shpallur publikisht një “fitore vendimtare” të Iranit ndaj SHBA-së dhe Izraelit, gjë që Trump e quajti “gënjeshtër të pastër”, duke theksuar se lideri iranian e di vetë të vërtetën.

Trump gjithashtu tha se kishte qenë në diskutime për lehtësimin e sanksioneve ndaj Iranit, me qëllim rikthimin e vendit në rrugën e rimëkëmbjes, por vendosi të ndalë çdo përpjekje pas “deklaratave plot urrejtje dhe mllef” nga udhëheqësit iranianë.

“Irani është një vend i djegur, i shkatërruar, me një ekonomi katastrofike dhe një ushtri të rrënuar. Nuk ka të ardhme, vetëm vdekje përreth tyre,” shkruan Trump.

Në përfundim të postimit, Trump i dërgon një mesazh liderëve iranianë: “Shpresoj që drejtuesit e Iranit të kuptojnë se më shumë arrihet me MJALTË sesa me uthull. PAQE!!!”