
Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se do të vendosë një normë të re tarifore për mallrat kanadeze brenda javës së ardhshme, duke e çuar në një tjetër krizë marrëdhënien tregtare me partnerin e dytë më të madh të SHBA-së, përcjell Guardian.
“Kanadaja do ta mësojë tarifën që do të paguajë për të bërë biznes me Shtetet e Bashkuara brenda shtatë ditëve,” shkroi Trump në platformën e tij Truth Social, duke konfirmuar se bisedimet tregtare me Kanadanë janë ndërprerë papritur për shkak të një takse të re kanadeze që, sipas tij, ndikon negativisht ndaj kompanive teknologjike amerikane.
Ky zhvillim prish klimën e qetësisë së fundit mes dy vendeve, vetëm një javë pasi kryeministri kanadez Mark Carney deklaroi se kishte rënë dakord me Trump për të finalizuar një marrëveshje të re ekonomike dhe të sigurisë brenda 30 ditëve.
Sipas të dhënave të Byrosë së Statistikave të SHBA-së, Kanada është partneri i dytë më i madh tregtar i SHBA-së pas Meksikës, duke importuar 349.4 miliardë dollarë mallra amerikane dhe eksportuar 412.7 miliardë dollarë drejt SHBA-së gjatë vitit të kaluar.
Lëvizja e Trump pritet të shkaktojë reagime të ashpra në Ottawa dhe mund të ndikojë ndjeshëm në tregtinë dhe investimet mes dy ekonomive të ndërlidhura fort.