
Një incident i rëndë me armë zjarri është regjistruar në fshatin turistik të Thethit, në Shkodër, ku një konflikt mes disa të rinjve ka rrezikuar të përshkallëzohet në përplasje të armatosur. Ngjarja është parandaluar në kohë nga ndërhyrja e Policisë.
Sipas njoftimit zyrtar, 33-vjeçari me inicialet A. Rr. është arrestuar nga forcat e rendit pasi ka hapur zjarr me armë zjarri në drejtim të një automjeti ku ndodheshin tre shtetas – N. H., 29 vjeç, P. H., 27 vjeç dhe D. Rr., 29 vjeç – të gjithë banues në Theth. Për fat të mirë, të shtënat nuk shkaktuan të lënduar, por vetëm dëme materiale në automjetin e qëlluar.
Pas incidentit, të tre personat që ndodheshin në automjet dyshohet se kanë ushtruar dhunë fizike ndaj autorit të të shtënave. Ata janë proceduar penalisht në gjendje të lirë për këtë veprim.
Gjatë veprimeve hetimore, Policia ka sekuestruar armën e përdorur në ngjarje – një pistoletë me municion luftarak.
Hetimet mbi shkaqet dhe rrethanat e këtij konflikti të rrezikshëm vijojnë.