
Presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi se kërkesat e Rusisë dhe Ukrainës për një marrëveshje paqeje janë “absolutisht kontradiktore”, duke theksuar mungesën e përparimit në dy rundet e fundit të bisedimeve për paqe të mbajtura në Stamboll, përcjell REL.
“Sa i përket memorandumeve, ashtu siç pritej, nuk ndodhi asgjë befasuese… këto janë dy memorandume krejtësisht kundërthënëse,” tha Putin gjatë një konference për media në Minsk, Bjellorusi.
Negociatorët e të dyja palëve kanë shkëmbyer dokumente me propozime për t’i dhënë fund konfliktit që ka hyrë në vitin e tretë, por sipas liderit rus, palët janë ende shumë larg një armëpushimi.
Sipas burimeve diplomatike, Rusia ka insistuar që Ukraina të dorëzojë më shumë territore dhe të heqë dorë nga mbështetja ushtarake që merr nga Perëndimi – kushte të cilat Kievi i ka cilësuar si të papranueshme.
Në anën tjetër, Ukraina ka kërkuar tërheqjen e trupave ruse dhe rikthimin e kontrollit mbi të gjitha territoret e pushtuara, përfshirë edhe ato që Rusia pretendon se i ka aneksuar.
Edhe pse nuk është arritur ndonjë marrëveshje për ndalimin e luftimeve, të dyja palët kanë realizuar disa shkëmbime të të burgosurve të luftës. Që nga takimi i 2 qershorit, më shumë se 2.000 ushtarë të kapur janë liruar, shumica prej tyre të plagosur, të sëmurë ose nën moshën 25 vjeç.
Putin shtoi gjithashtu se Rusia është e gatshme të dorëzojë trupat e 3.000 ushtarëve ukrainas të vrarë gjatë luftimeve.
Presidenti rus pranoi gjithashtu se fushata ushtarake në Ukrainë ka shkaktuar presion në ekonominë ruse. Ai bëri të ditur se shpenzimet për mbrojtjen arrijnë në 6.3 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit, përkatësisht 13.5 trilionë rubla (rreth 172 miliardë dollarë).
“Kjo është shumë,” tha Putin, duke shtuar se këto shpenzime mund të sjellin vështirësi për buxhetin e Qeverisë ruse.
Në mungesë të një vullneti të përbashkët për kompromis, paqja mes Rusisë dhe Ukrainës mbetet larg – ndonëse kontaktet mes palëve pritet të vazhdojnë.