
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot në një konferencë për mediat se zgjedhjet e 11 majit nuk do të njihen nga PD, duke i cilësuar ato si një “farsë të vërtetë elektorale”.
Berisha publikoi një sërë të dhënash, të cilat sipas tij provojnë manipulime të rënda me kutitë e votimit në disa qendra zgjedhore.
Sipas tij, kutitë janë mbushur jashtë qendrave dhe janë zëvendësuar me të tjera të sjella nga patronazhistët ose nga selia e Partisë Socialiste.
“Janë gjetur në kutitë e votimit 9 fletë më shumë se sa deklarohen në procesverbalin zyrtar. Këto fletë nuk i përkasin asaj qendre dhe kjo tregon qartazi se kutia është zëvendësuar. Në asnjë rrethanë nuk mund të ketë fletë më shumë se sa është përcaktuar nga KQZ”, deklaroi Berisha.
Ai theksoi se PD nuk do të njohë rezultatin e këtyre zgjedhjeve, pasi ato, sipas tij, nuk përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve.
Gjetjet në qendrat e votimit:
Berisha përmendi një sërë qendrash votimi ku janë konstatuar shkelje të rënda:
“Qendra e votimit 2251/1, edhe këtu mungojnë vulat që vendosin komisionerët. Pra është mbushur kutia në selinë e PS.
Qendra e votimit 2263 ka mosrakordim midis të fletëve të papërdorura. Në procesverbalin 08 konsiderohen 419 fletë të papërdorura, ndërkohë nga numërimi janë 371. Pra diferenca është 48 fletë që mungojnë. Është konstatuar një person që ka votuar dhe që nuk e ka emrin në listë.
Edhe kjo kuti është jashtë të gjitha standardeve të qenurit një kuti në të cilën janë hedhur votat në qendrën e votimit 2263.
Qendra e votimit 2274. Prapë në kuti nuk është gjetur procesverbali 07 i hapjes së kutisë dhe që identifikon vulat e sigurisë. Pra edhe kjo kuti nuk polotëson kushtet e një qendre ku është votuar, por kushtet e një kutie të sjellë nga jashtë.
Qendra e votimit 2283, ka mosrakordim mes fletëve të papërdorura. Në procesverbalin 08 dklarohen 519 fletë të papërdorura, ndërkohë nga numërimi janë 310 fletë të papërdorura. Pra mungojnë 2019 fletë të papërdorura. Kjo kuti votimi pra nuk ka asnjë lidhje me kutinë e votimit të qendrës 2283. Duket e sjellë nga zyrat e PS apo nga patronazhistët.
Qendra e votimit 2614, në kuti nuk gjendet procesverbali 07 që është procesverbali i hapjes së kutisë dhe që identifikon vulat e sigurisë. Pra kjo kuti nuk ka asnjë vlerë sepse nuk ka asnjë siguri, është e sjellë nga jashtë.
Qendra e votimit 2647, mungojnë të gjitha fletët e papërdorura në kutinë e materialeve zgjedhore, çka është dyshimet e drejta se ka ardhur direkt nga çerdhet e patronazhistëve apo selia e PS.
Qendra e votimit 2657 ka mosrakordim midis fletëve të papërdorura. Në procesverbalin 08 dekalrohen 290 fletë të papërdorura, ndërkohë qënë numërim janë 208 vota. Pra diferenca është 82 vota. Pra kjo kuti nuk ka asnjë lidhje me kutinë e qendrës 2657.
Qendra e votimit 2675, në kutinë e votimit konstatohet 1 fletë pa vulë. Nuk është gjetur procesverbali 08. Nuk dihet sa fletë votimi kanë ardhur nga KQZ. Pra, qartësia është krejt tjetër krahasuar me atë që duhet të jetë në qendrën e votimit.
Qendra e votimit 2682, nuk gjendet procesverbali 08. Pra kjo kuti nuk plotëson asnjë kusht ligji si për kuti qendre votimi, por është kuti e ardhur nga jashtë nga selia e PS ose qendrat ilegale të patronazhistëve.
Qendra e votimit 2846, mungojnë procesverbalet 07 dhe 08. Janë gjetur 207 fletë votimi, ndërkohë pajisja PEI konstaton 141 votues. E kuptoni pra, më së paku del se janë futur 66 vota në këtë kuti të njerëzve që nuk kanë votuar kurrë.
Këto ishin dokumentet e 12 qendrave të votimit, të cilat në asnjë lloj rrethane këto kuti nuk mund t pranohen si kutitë e vërteta të qendrave të votimit, por si kuti të ndërruara apo të ardhura nga selia e PS apo dhe vetë nga qendrat ilegale të patronazhistëve.
Këto të dhëna hedhin poshtë përfundimisht farsën elektorale të 11 Majit 2025 dhe pikërisht bazuar në këto të dhëna dhe qindra e mijëra të tjera që kemi paraqitur para jush, PD deklaron se këto zgjedhje janë të paligjshme,” përfundoi Berisha.
Ai akuzoi gjithashtu PS dhe strukturat e saj se kanë përdorur patronazhistët për të zëvendësuar kutitë e votimit dhe për të deformuar vullnetin qytetar.