
Dr. Martin Kulldorff, kryetar i Komitetit Këshillimor për Praktikat e Imunizimit.
Paneli i ri i këshilltarëve për vaksinat i Sekretarit të Shëndetësisë Robert F. Kennedy Jr. do rivlerësojë kalendarin e rekomanduar për vaksinat për fëmijët dhe adoleshentët, përfshirë fruthin dhe hepatitin B, tha kreu i ri i tij të mërkurën.
Këshilltarët e rinj u takuan për herë të parë të mërkurën në Atlanta, duke nisur një takim dyditor me një axhendë të përcaktuar pjesërisht nga të emëruarit politikë. Ndërkohë, në Capitol Hill, kandidatja për të drejtuar Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), Susan Monarez, u tha senatorëve se ajo beson se vaksinat shpëtojnë jetë dhe se nuk ka lidhje shkakësore midis vaksinave dhe autizmit.
Kennedy më parë këtë muaj shkarkoi 17 anëtarët e mëparshëm të Komitetit Këshillimor për Praktikat e Vaksinave, duke akuzuar panelin për konflikte interesi. Disa nga zëvendësimet e reja kanë artikuluar qëndrime antivaksinimi në të kaluarën.
Një grup i ri pune i panelit në muajt e ardhshëm do rivlerësojë vaksinat e fëmijërisë dhe adoleshentëve dhe kohën e tyre, tha kryetari i ri i komitetit, Dr. Martin Kulldorff. Ai tha se grupi mund të shqyrtojë vaksinat për hepatitin B dhe për fruthin, shytat dhe rubeolën, ose MMR.
“Nëse keni pyetje ose shqetësime në lidhje me sigurinë ose efikasitetin e vaksinave, ne duam t’i dëgjojmë ato. Kjo është metoda shkencore,” tha Kulldorff.
“Asnjë pyetje nuk duhet të jetë e ndaluar.”
Kulldorff tha se një grup pune i komitetit do shqyrtojë nëse vaksina e hepatitit B duhet t’u jepet foshnjave në ditët e tyre të para të jetës. Mjekët në SHBA zakonisht u bëjnë vaksinën të porsalindurve, edhe nëse një nënë ka rezultuar negative për virusin, për shkak të rrezikut të pretenduar se testet mund të jenë të gabuara ose anëtarët e tjerë të familjes ta mbajnë virusin.

Dr. Joseph Hibbeln, djathtas, anëtar i Komitetit Këshillimor për Praktikat e Imunizimit, dëgjon gjatë një takimi të panelit në CDC, 25 qershor 2025, në Atlanta. | Mike Stewart/AP
Ndërsa virusi përhapet më shpesh përmes kontaktit seksual ose përdorimit intravenoz të drogës, ai mund të përhapet edhe përmes gërvishtjeve dhe prerjeve. Hepatiti B mund të jetë një infeksion i përjetshëm që çon në dështim të mëlçisë.
Kulldorff tha gjithashtu se një grup pune mund të rishqyrtojë kohën për dhënien e vaksinave MMR dhe të marrë në konsideratë kundërshtimet fetare ndaj vaksinave MMR të nxjerra nga linjat qelizore fetale. Ai tha se grupi i punës mund të shqyrtojë një vaksinë MMR të miratuar në Japoni.
Senatori Bill Cassidy, republikani i Luizianës që kryeson seancën dëgjimore të konfirmimit të Monarez për drejtor të CDC-së të mërkurën në mëngjes, përsëriti thirrjen e tij që seancat e Atlantas të shtyhen, duke thënë se shumë prej të emëruarve të sekretarit nuk kishin përvojën e duhur dhe se disa madje mund të kenë mendime të njëanshme kundër vaksinave.
“Duke pasur parasysh se nuk ka drejtor të konfirmuar të CDC-së, së bashku me një panel ACIP i cili ka shumë pak anëtarë, shumë prej të cilëve nuk kanë ekspertizë të gjerë për vaksinat dhe imunologjinë, ka shqetësime në lidhje me natyrën e nxituar të këtij procesi”, tha Cassidy, kryetar i komitetit të shëndetit të Senatit.
Mjeku nga Luiziana, i cili hodhi votën vendimtare për të çuar përpara nominimin e Kennedy-t si Sekretari Shëndetësisë, bëri ndarjen e tij të parë të rëndësishme me Kennedy-n në fillim të kësaj jave kur ai kërkoi shtyrjen e takimit.
Kennedy njoftoi të mërkurën se po tërhiqte fondet amerikane për GAVI-n, një aleancë ndërkombëtare që ndihmon në sigurimin e vaksinave për fëmijët më të varfër në botë. Monarez u tha senatorëve se nuk ishte e përfshirë në atë vendim, por tha se vaksinat shpëtojnë jetë.
“Ne duhet të vijojmë të mbështesim promovimin e përdorimit të vaksinave”, tha ajo.

Susan Monarez, kandidatja për drejtoreshë e CDC-së, u tha senatorëve se beson se nuk ka lidhje shkakësore midis vaksinave dhe autizmit.
Nëse konfirmohet, Monarez do ketë fuqinë për të vendosur nëse do miratojë apo jo rekomandimet e ACIP. E pyetur nëse ishte dakord me vendimin e Kennedy-t për të larguar të gjithë anëtarët e komitetit të mëparshëm, Monarez u përgjigj “se sekretari duhej të merrte një vendim në lidhje me sigurimin që ACIP mund të mbështeste rikthente besimin publik në vendimmarrje”.
Paneli këshillues për vaksinat është caktuar të enjten të dëgjojë një prezantim mbi thimerosalin, një konservues që aktivistët kundër vaksinave shpesh e kanë fajësuar për autizmin, nga Lyn Redwood, një infermiere praktikante e cila është Presidente Emerita e Mbrojtjes së Shëndetit të Fëmijëve, një organizatë jofitimprurëse kundër vaksinave e drejtuar më parë nga Kennedy. Aktivistët kundër vaksinave kanë pohuar prej kohësh se thimerosali shkakton autizëm. Shkalla e çrregullimit ka vijuar të rritet edhe pasi thimerosali u hoq nga shumica e vaksinave në fillim të viteve 2000.
Redwood është punësuar si punonjës i posaçëm qeveritar në Departamentin e Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, sipas njerëzve të njohur me çështjen. Një zëdhënës i HHS nuk pranoi të komentonte. The New York Times raportoi më parë për punësimin e Redëood.
Kennedy të martën në mbrëmje postoi një ese në X rreth rreziqeve të thimerosalit, të cilin ai tha se media e injoron.

Sekretari i Shëndetësisë Robert F. Kennedy Jr. dëshmoi para ligjvënësve të Kongresit mbi buxhetin e Presidentit Trump, ku protestuesit, përfshirë bashkëthemeluesin e Ben & Jerry’s, Ben Cohen, ndërprenë deklaratën e tij të hapjes. Foto: Leah Millis/Reuters
Një dokument i postuar në faqen e internetit të CDC-së më herët gjatë javës për takimin e panelit të vaksinave arriti në përfundimin se një sërë studimesh me rezultate të qëndrueshme treguan se thimerosali në vaksina nuk është i lidhur me autizmin ose çrregullime të tjera neurozhvillimore. Dokumenti, i përgatitur nga stafi i CDC-së, duket se mungonte në faqen e internetit të mërkurën.
Zëdhënësi i HHS tha se dokumenti nuk “kaloi nëpër procesin e duhur për t’u postuar”.
Vetëm shtatë anëtarë të rinj u mblodhën për panelin të mërkurën, pasi Kennedy emëroi tetë anëtarë të rinj. Dr. Michael Ross, një gjinekolog, u tërhoq pasi nuk mundi të hiqte dorë nga interesat financiare që do kishin paraqitur një konflikt interesi, tha një zyrtar i HHS.
Kennedy pritet të emërojë më shumë anëtarë në panel. Ai i premtoi Cassidy-t se mund të zgjidhte një anëtar të ri të panelit, tha Kennedy për Fox News më herët këtë muaj.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e WSJ
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani