
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se Teherani nuk ka në plan të takohet me Shtetet e Bashkuara javën e ardhshme, duke mohuar deklaratën e mëhershme të presidentit amerikan Donald Trump mbi një takim të mundshëm, përcjell Jerusalem Post.
Në një intervistë për televizionin shtetëror iranian të enjten, Araghchi tha se Irani është ende duke vlerësuar nëse rifillimi i dialogut me Uashingtonin është në interes të vendit, veçanërisht pas pesë raundeve të mëparshme të bisedimeve që u ndërprenë për shkak të sulmeve nga SHBA dhe Izraeli ndaj objekteve bërthamore iraniane.
“Dëmet në objektet tona nuk janë të vogla,” theksoi Araghchi, duke shtuar se autoritetet iraniane po analizojnë pasojat teknike dhe strategjike të këtyre sulmeve për të përcaktuar kursin e ardhshëm diplomatik të vendit.
SHBA dhe Izraeli kanë justifikuar sulmet si përpjekje për të penguar Teheranin në zhvillimin e armëve bërthamore, ndërsa Irani ka përsëritur se programi i tij bërthamor është tërësisht për qëllime civile.
Deklaratat e Araghchit vijnë në një kohë tensionesh të larta në rajon, teksa diplomacia ndërkombëtare përballet me pasojat e konfliktit dhe me një proces të brishtë negociator që mbetet në ngërç.