Vendosni fjalën kyçe....

Asgjësohen gati 3 mijë bimë kanabisi në Shkodër, nën hetim 4 persona


Policia e Shkodrës ka finalizuar një tjetër fazë të operacionit të koduar “Koordinata”, duke asgjësuar gjithsej 2,936 bimë kanabisi të zbuluara në disa zona të qarkut.

Bimët narkotike u gjetën të kultivuara në territorin e njësive administrative Shalë, Shosh, Shkrel, Kastrat dhe Qafë Mal. Konkretisht, 1,792 bimë u asgjësuan në zonën e Shkodrës, 824 në Malësinë e Madhe dhe 320 në Fushë-Arrëz.

Në vijim të veprimeve, janë proceduar penalisht katër persona për shpërdorim detyre dhe moskallëzim krimi. Mes tyre janë një inxhinier pyjesh, një roje i zonave të mbrojtura dhe dy kryepleq të fshatrave Lotaj dhe Abat.

Njoftimi i policisë:

Si rezultat i kontrolleve intensive në të gjithë territorin e qarkut Shkodër, në vijim të operacionit policor të koduar “Koordinata”, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi të saj, kanë gjetur të kultivuara dhe kanë asgjësuar 2936 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, konkretisht:

-Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën në territorin e njësive administrative Shalë dhe Shosh, dhe asgjësuan 1792 bimë të dyshuara narkotike. Në vijim të veprimeve për këto raste, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për:

-inxhinierin e pyjeve, shtetasin A. M., për shpërdorim detyre dhe për moskallëzim krimi;

-rojën e zonave të mbrojtura, shtetasin L. A., për shpërdorim detyre;

-kryeplakun e fshatit Lotaj, shtetasin L. M., për shpërdorim detyre;

-kryeplakun e fshatit Abat, shtetasin M. M., për shpërdorim detyre.

-Shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe gjetën në territorin e njësive administrative Shkrel dhe Kastrat, dhe asgjësuan 824 bimë të dyshuara narkotike.

-Shërbimet e Stacionit të Policisë Fushë Arrëz gjetën në territorin e njësisë administrative Qafë Mal, dhe asgjësuan 320 bimë të dyshuara narkotike.

Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të këtyre rasteve të kultivimit.

Operacioni antikanabis i koduar “Koordinata”, vijon.