
Shell është futur në bisedime të hershme me rivalin BP për një marrëveshje historike prej 60 miliardë paundësh që mund të çojë në krijimin e njërës prej kompanive më të mëdha të naftës dhe gazit në botë, sipas raportimeve të Wall Street Journal, përcjell The Guardian.
Ky bashkim i mundshëm mes dy prej të ashtuquajturave “supergjigantëve të naftës” do të formonte një kompani britanike energjetike me një vlerë që do të tejkalonte 200 miliardë paund nëse marrëveshja finalizohet me sukses.
BP, e cila aktualisht vlerësohet në rreth 58 miliardë paund, ka qenë prej kohësh në shënjestër të analistëve si një objektiv i mundshëm për blerje, për shkak të rezultateve të dobëta financiare, skepticizmit rreth strategjisë së saj për energjinë e gjelbër dhe trazirave në menaxhim që kanë bërë që çmimi i aksioneve të saj të bjerë ndjeshëm.
Kompania humbi pothuajse një të tretën e vlerës së tregut gjatë vitit të fundit, pasi plani i rindërtimit i zbatuar nga drejtori ekzekutiv Murray Auchincloss nuk arriti të bindte investitorët për një rikthim të suksesshëm pas përpjekjeve të dështuara për t’u transformuar në një kompani të energjisë me emetime neto-zero.
Ndërkohë, Shell – e cila ka një vlerë tregu prej mbi 150 miliardë paund – ka parë rritje të çmimit të aksioneve që nga ardhja në krye e drejtorit të ri ekzekutiv, Wael Sawan.
Ai ka premtuar të zgjerojë aktivitetin në sektorin e naftës dhe gazit, duke sjellë fitime rekord dhe shpërblime të mëdha për aksionerët.
Më herët këtë vit, Sawan ishte detyruar të mohonte zërat për një blerje të BP-së, duke deklaruar se kompania ishte më e përqendruar në blerjen e aksioneve të veta sesa në blerjen e një rivali tjetër.
Një zëdhënës i Shell deklaroi sot: “Siç e kemi thënë shumë herë më parë, jemi të përqendruar fuqishëm në rritjen e vlerës së Shell përmes performancës, disiplinës dhe thjeshtësimit.”
BP është kontaktuar për koment, por ende nuk ka reaguar.