
Presidenti amerikan Donald Trump i ka bërë thirrje Izraelit që të ndalojë bombardimet dhe të respektojë marrëveshjen e armëpushimit me Iranin, duke kritikuar të dyja palët për përshkallëzimin e situatës.
“Izrael. Mos hidhni ato bomba. Nëse e bëni, është një shkelje e rëndë,” shkroi Trump në një postim në platformën e tij Truth Social. “Ktheni pilotët tuaj në shtëpi, tani!” – vijoi ai.
Gjatë një deklarate për gazetarët para nisjes nga Shtëpia e Bardhë, Trump u shpreh i pakënaqur me zhvillimet e fundit:
“Nuk më pëlqyen shumë gjëra që pashë dje. Nuk më pëlqeu fakti që Izraeli bombardoi menjëherë pasi u arrit marrëveshja. Nuk ishte e nevojshme të reagonte menjëherë, dhe nuk më pëlqeu as fakti që kundërpërgjigjja ishte kaq e fortë. Por, për hir të së vërtetës, Izraeli bombardoi shumë. Dhe tani ata kanë dalë përsëri në sulm, sepse ndihen se marrëveshja u shkel nga një raketë që as nuk ra diku. Kjo nuk është ajo që duam,” tha Trump, përcjell Fox News.
Ai shtoi gjithashtu: “Mendoj se të dyja palët e kanë shkelur marrëveshjen e armëpushimit.”
Në një ton edhe më të ashpër, Trump komentoi: “E dini çfarë kemi? Dy vende që kanë luftuar për aq gjatë dhe aq ashpër, sa nuk e dinë më çfarë dreqin po bëjnë. E kuptoni këtë?”
Pavarësisht thirrjes së Trumpit, mediat izraelite raportuan sulme të reja ajrore në Iran, duke goditur një sit radar pranë Teheranit.
Izraeli e justifikoi sulmin si përgjigje ndaj lëshimit të dy raketave iraniane pas armëpushimit, të cilin Irani e mohoi . Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, urdhëroi vazhdimin e operacioneve “intensive” kundër Teheranit .