Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti iranian: Nuk do të shkelim armëpushimin, përveç nëse e bën Izraeli


Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, deklaroi të martën se vendi i tij do të respektojë marrëveshjen e armëpushimit që hyri në fuqi në orët e para të mëngjesit, përveç rasteve kur ajo do të shkelet nga Izraeli.

Deklarata e presidentit iranian erdhi pasi u bë e ditur se zëvendësshefi i inteligjencës së Gardës Revolucionare Iraniane (IRGC), Ali Reza Latfi, është zyrtari më i fundit iranian që ka humbur jetën në sulmet izraelite, sipas Ynet.

Ndërkohë, Zyra e Kryeministrit të Izraelit (PMO) njoftoi të martën pasdite se pas një bisede telefonike mes kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe presidentit amerikan Donald Trump, Izraeli ka vendosur të shmangë sulmet ndaj Iranit.

Sipas njoftimit të PMO-së, është paraqitur një kronologji e ngjarjeve para dhe pas hyrjes në fuqi të armëpushimit në orën 07:00 me orën lokale, ku thuhet se sulmi i fundit me raketa nga Irani ndodhi tre orë pas hyrjes në fuqi të armëpushimit.

Presidenti amerikan Donald Trump, sipas deklaratës, shprehu vlerësim të madh për forcën e Izraelit pas arritjes së objektivave të tij në luftë dhe u shpreh i bindur se armëpushimi do të qëndrojë. Ai gjithashtu tha se SHBA nuk synon ndërrim regjimi në Iran.