
Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance ka sugjeruar se stoku prej rreth 400 kg uranium të pasuruar të Iranit, një sasi që afrohet me nivelin për ndërtimin e armëve bërthamore, mund të ketë mbetur i paprekur, megjithë fushatën ajrore të Shteteve të Bashkuara ndaj objekteve bërthamore iraniane.
Të hënën, në një intervistë për Fox News, Vance tha se “çështja nuk është se ku ndodhet uraniumi”, por shtoi se pyetja e vërtetë është: “A mund ta pasurojë Irani këtë uranium deri në nivelin për ndërtimin e armëve dhe a mund ta shndërrojë atë në një armë bërthamore?”
Stoku i uraniumit besohet se ndodhej kryesisht në Isfahan, ku ndodhet një impiant konvertimi që e përgatit uraniumin për pasurim në centrifuga.
Megjithatë, drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, deklaroi së fundmi se stoku mund të jetë zhvendosur. Inspektorët e tij nuk kanë qenë në gjendje të vizitojnë objektet bërthamore të Iranit që nga fillimi i luftës.
Të shtunën, SHBA bombardoi impiantet bërthamore në Fordow, Natanz dhe Isfahan në përpjekje për të shkatërruar programin bërthamor të Iranit. Por raportet sugjerojnë se, megjithëse u shkaktua dëm i madh fizik, uraniumi i pasuruar ndoshta është larguar përpara bombardimeve.
“Qëllimi ishte të varrosej uraniumi, dhe besoj se kjo është arritur,” tha Vance.
Sipas tij, objektivi ishte të ndalohej pasurimi i mëtejshëm dhe shndërrimi i këtij uraniumi në armë bërthamore: “Ne nuk duam që uraniumi i pasuruar në 60% të shkojë në 90% – kjo është shqetësimi real.”
Megjithatë, Vance këmbënguli se nuk është shqetësim nëse Irani e ka zhvendosur uraniumin, duke e quajtur fushatën ajrore “një sukses”, sepse, sipas tij, tashmë Irani nuk ka më kapacitetin për ta shndërruar këtë uranium në armë bërthamore: “Ky ishte qëllimi i vërtetë.”
Ndërkohë, ish-inspektori i OKB-së për armët bërthamore, David Albright, i tha CNN-it të hënën se ende ka centrifuga të “pakontabilizuara” që duhet adresuar për të përmbyllur misionin e SHBA-së me sukses.
“Besoj se një pjesë e misionit është përmbushur,” tha ai. “Stoket e uraniumit të pasuruar janë një aspekt. Do të doja që ato të ishin varrosur, por kuptojmë se një pjesë e tyre është marrë nga Irani dhe nuk e dimë se ku ndodhen.”
Albright shtoi se çështja e centrifugave të mbetura ende përbën një problem, por “të menaxhueshëm”, sepse shndërrimi i uraniumit të pasuruar në uranium për armë nuk është një proces i shpejtë.
I pyetur nëse stoku ishte shkatërruar, Vance tha për emisionin This Week të ABC-së se “në javët në vijim do të punojmë për të bërë diçka me këtë material, dhe kjo është një nga çështjet që do të diskutojmë me iranianët.”
Irani, nga ana e tij, ka bërë të qartë se nuk është i gatshëm të diskutojë për këtë stok uraniumi, i cili mund të jetë një nga kartat e fundit që i kanë mbetur.
Rafael Grossi i tha New York Times se inspektorët e IAEA-së e kanë parë për herë të fundit këtë material rreth një javë para se Izraeli të fillonte sulmet ndaj Iranit.
Në një intervistë të dielën, Grossi u shpreh: “Irani nuk ka fshehur faktin se e ka mbrojtur këtë material.”