
Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka vendosur të prishë vendimin e Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm në Korçë për çështjen e vrasjes së Martin Çeços dhe të kthejë dosjen për rigjykim me një trupë tjetër gjykuese në të njëjtën gjykatë.
Vendimi i parë ishte dhënë më 10 shkurt 2025 dhe parashikonte një total prej 83 vitesh burg për katër të pandehurit, në përputhje me kërkesën e Prokurorisë. Të shpallur fajtor për vrasjen ishin Valter dhe Edlir Mollaj (kushërinj), bariu Bledi Angjo dhe Martina Pajollari, e cila sipas akuzës kishte ndihmuar në nxjerrjen e viktimës në pritë.
Vendimi i Apelit, i marrë më 24 qershor 2025 nga trupa gjykuese e përbërë nga Marsela Pepi (relatore), Genti Dokollari dhe Irena Brahimi, lejon rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve nga komunikimi i vendimit të arsyetuar.
Ndërkohë, babai i viktimës ka deklaruar se pranon vendimin për rigjykim, duke shprehur shpresën se drejtësia do të vihet plotësisht në vend për humbjen tragjike të të birit.