Vendosni fjalën kyçe....

Spiropali prezanton portalin e ri “E-Legjislacioni”: Një vizion për ligjvënie më transparente dhe gjithëpërfshirëse


Tiranë, 23 qershor 2025 – Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, prezantoi sot platformën e re dixhitale “E-Legjislacioni”, një nismë që synon transformimin rrënjësor të mënyrës se si hartohen, diskutohen dhe miratohen ligjet në vend.

Në një takim zyrtar me pjesëmarrjen e ambasadorëve, përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë, Spiropali e cilësoi këtë hap si “një kapitull të ri për legjislacionin shqiptar”.

Nuk po miratojmë thjesht një teknologji të re, por një cilësi të re të procesit legjislativ. E-Legjislacioni është më shumë se një program kompjuterik – është një vizion për një ligjbërje më cilësore, më transparente dhe më të përfshirë,” tha Spiropali në fjalën e saj.

Platforma e re do të mundësojë për herë të parë publikimin e akteve ligjore të konsoliduara, duke përmbledhur në një version të vetëm të gjitha ndryshimet ligjore ndër vite. Kjo do t’u mundësojë qytetarëve, studiuesve dhe profesionistëve të kenë një qasje të qartë, të unifikuar dhe në kohë reale në ligjet shqiptare.

Sipas Kryetares së Kuvendit, portali do të përmbajë funksione të avancuara si: Gjurmimin e plotë të historikut të një ligji, nga propozimi deri te miratimi; ndërlidhjen institucionale me Qeverinë, Presidencën dhe Qendrën e Publikimeve Zyrtare; mundësi për pjesëmarrje publike në procesin ligjvënës, përmes konsultimeve me qytetarët, shoqërinë civile dhe grupet e interesit.

Po hedhim një hap të ri për të afruar qytetarët me Kuvendin, për të ndërtuar ura komunikimi ndërmjet institucioneve dhe për të vendosur teknologjinë në funksion të demokracisë,” theksoi Spiropali.

Platforma “E-Legjislacioni” është zhvilluar me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri dhe është financuar nga Qeveria e Zvicrës. Gjithashtu, Kuvendi ka bashkëpunuar ngushtë me Parlamentin Evropian, Senatin italian dhe Parlamentin e Skocisë për të përfshirë standardet më të mira evropiane në ndërtimin e saj.

Spiropali vuri në dukje edhe aspektet teknike të platformës, përfshirë digjitalizimin e arkivës parlamentare, trajnimin e stafit me editorin Lime, ngritjen e strukturës së super-përdoruesve dhe përdorimin e inteligjencës artificiale për kërkim të avancuar dhe gjurmueshmëri të akteve ligjore.

Me këtë platformë të re, ne i themi lamtumirë një procesi të fragmentuar dhe të mbyllur. Kuvendi dhe Qeveria do të flasin në të njëjtën gjuhë teknologjike dhe qytetarët do të kenë një pozicion më influencues në politikëbërje,” deklaroi Spiropali.

Në përfundim, ajo theksoi se “E-Legjislacioni” është vetëm fillimi i një procesi më të gjerë modernizimi dhe përfshirjeje, dhe ftoi të gjithë aktorët të jenë pjesë aktive në përmirësimin dhe zhvillimin e vazhdueshëm të platformës.