Vendosni fjalën kyçe....

“Irani mund të ndërmarrë sulme hakmarrëse për një ose dy ditë” – paralajmëron SHBA


Zyrtarë amerikanë kanë paralajmëruar se Irani mund të ndërmarrë sulme hakmarrëse ndaj forcave amerikane në Lindjen e Mesme brenda një ose dy ditësh, pas bombardimeve që SHBA ndërmori ndaj tre objekteve bërthamore iraniane — Fordow, Natanz dhe Isfahan.

Një burim për Jerusalem Post konfirmoi se është dhënë alarm për një sulm të mundshëm ndaj bazës ajrore Al Udeid në Katar, ku ndodhet selia e Komandës Qendrore të SHBA (CENTCOM) dhe rreth 10,000 trupa amerikane.

Pas këtij paralajmërimi, ambasada amerikane në Katar u kërkoi qytetarëve amerikanë të strehohen në vend deri në një njoftim të dytë, ndërsa qeveria britanike lëshoi të njëjtën këshillë për shtetasit e saj. Ambasada theksoi se masa merret “për arsye sigurie dhe kujdesi të shtuar”, pa specifikuar ndonjë kërcënim konkret.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed Al Ansari, tha se situata e sigurisë në vend mbetet stabile, por autoritetet janë të gatshme të marrin masa shtesë për mbrojtjen e qytetarëve dhe rezidentëve.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka konfirmuar përmes një postimi në Truth Social se operacioni “Midnight Hammer” goditi me sukses objektet bërthamore në territorin iranian, duke theksuar se “të gjitha avionët janë kthyer të sigurt pas misionit.”

Zyrtarë të Misionit Ndërkombëtar për Energjinë Atomike (IAEA) kanë konfirmuar dëmtimin e infrastrukturës në objektet në Isfahan, përfshirë hyrjet nëpër tunelet nëntokësore.

Shefi i Shtabit të Përbashkët të SHBA, gjenerali Dan Caine, njoftoi se mbrojtja e trupave në Irak, Siri dhe baza të tjera është rritur, përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore dhe mjetet për të përballuar sulme me raketa.