
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka publikuar sot në një konferencë për shtyp një video që sipas tij përmban pamje tronditëse të manipulimit të votave gjatë zgjedhjeve të 11 majit.
Ai e cilësoi këtë proces si një “farsë elektorale të turpshme” të drejtuar nga kryeministri Edi Rama.
Sipas Berishës, në pamjet e shfaqura shihen komisionerë zgjedhorë, të veshur me uniforma zyrtare, duke votuar vetë në vend të qytetarëve, duke marrë disa fletë votimi për person, duke kontrolluar votën përpara hedhjes në kuti dhe duke udhëzuar votuesit në dhomën e fshehtë.
“Gjatë ditës, komisionerët votojnë në emër të zgjedhësve. Nuk ka më sekret votimi, gjithçka kontrollohet ose kryhet nga vetë komisioneri,” deklaroi Berisha.
Ai tha se këto pamje janë tashmë në dispozicion të publikut dhe institucioneve ndërkombëtare, duke shtuar se “edhe Europa i pa këto skena”.
“Është një video që shokoi audiencën. Komisioneri kontrollon fletën para se të hidhet në kuti, udhëzon votuesin brenda në dhomën e fshehtë. Një person merr katër fletë votimi. Kjo është fytyra e zgjedhjeve në Shqipëri,” u shpreh Berisha, duke e cilësuar procesin si një “narkodiktaturë të bazuar në mashtrimin elektoral”.
Ai theksoi se kjo është pjesë e një përpjekjeje të jashtëzakonshme të opozitës për të ekspozuar të vërtetën e zgjedhjeve si brenda vendit, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.
Berisha u bëri thirrje qytetarëve të reagojnë kundër kësaj situate, duke e cilësuar qeverinë si pa legjitimitet dhe pushtetin si të mbështetur në manipulim.
“Ne nuk do të pranojmë kurrë këtë farsë. Zgjidhja është në dorën e shqiptarëve – të mbrojnë të drejtat e tyre themelore apo të pranojnë një pushtet të ngritur mbi mashtrimin,” tha ai.