Vendosni fjalën kyçe....

PD denoncon shkeljet me votën e Diasporës, kërkon transparencë nga KQZ-ja


Partia Demokratike ka ngritur akuza serioze ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shkelje të ligjshmërisë në administrimin e votave nga Diaspora gjatë procesit zgjedhor të 11 majit.

 Në një deklaratë të mbajtur sot nga zëdhënësja e Antikorrupsionit në selinë blu, Genta Vangjeli, PD theksoi se sipas verifikimeve të vetë KQZ-së, një pjesë e konsiderueshme e fletëve të votimit të ardhura përmes kompanisë postare DHL nuk përmbanin nënshkrimet e detyrueshme nga votuesit.

Sipas PD-së, në vend të nënshkrimeve të rregullta, janë konstatuar simbole të ndryshme pa vlerë identifikuese, madje dhe raste kur mungonte plotësisht çdo formë e nënshkrimit. Për më tepër, janë zbuluar fleta dorëzimi të mbushura me të njëjtin dorëshkrim, çka ngre dyshime të forta mbi autenticitetin dhe vlefshmërinë e këtyre votave.

Sipas Kodit Zgjedhor, vota me postë nga Diaspora duhet të realizohej individualisht, në adresën e regjistruar të zgjedhësit dhe të shoqërohej me nënshkrim pas paraqitjes së një mjeti identifikimi. Sipas PD-së, asnjë prej këtyre tre kushteve nuk është respektuar në shumë raste, duke e bërë procesin të paligjshëm dhe të pavlefshëm.

Partia Demokratike ngre shqetësimin pse KQZ nuk ka kryer më herët verifikimin e nënshkrimeve, pavarësisht kërkesave të përsëritura që janë bërë nga përfaqësues të saj, madje edhe gjatë shqyrtimit të ankimimeve në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve (KAS).

Po ashtu, PD kërkon të dijë pse nuk është bërë publike lista e plotë e dorëzimeve për çdo shtet të Diasporës që prej datës 15 maj, ndonëse një kërkesë zyrtare është bërë për këtë.

Ajo shpreh shqetësimin se provat nga vendet me numër të lartë votuesish si SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe veçanërisht Italia, janë vënë në dispozicion vetëm pasi trupa e KAS-it kishte rrëzuar shumicën e ankimimeve të PD-së.

Sipas deklaratës, është e papranueshme që KQZ të “kujtohet” për shkeljet kontraktuale të DHL-it vetëm në momentin kur është siguruar që këto parregullsi nuk do të ndikojnë më në vendimmarrjen e institucioneve të ankimimit.

PD thekson se për javë të tëra si KQZ-ja ashtu edhe DHL kanë refuzuar të bëjnë transparente procedurat e dorëzimit të zarfeve të ardhura nga Diaspora, duke penguar subjektet zgjedhore të kenë akses në dokumentacionin bazë të këtij procesi.

Në deklaratë, PD kërkon publikisht që KQZ të japë përgjigje të qarta për masat që janë marrë në kohë reale nga administrata e saj për të garantuar ligjshmërinë e procesit, për arsyet e mosreagimit pavarësisht paralajmërimeve të dokumentuara të bëra nga Partia Demokratike, si dhe për transparencën dhe integritetin e procesit zgjedhor, të cilat PD i konsideron si themel të çdo demokracie funksionale.

Në përfundim, Partia Demokratike thekson se përballë një propagande të kontrolluar dhe të paguar nga qeveria, ajo do të vazhdojë të paraqesë çdo ditë fakte dhe dokumente që sipas saj provojnë se çfarë ndodhi me 11 maj dhe në fushatën elektorale.

“Qeveria teknike dhe zgjedhjet e lira duhet të jenë beteja jonë me të gjithë potencialin”, thuhet në fund të deklaratës.