Vendosni fjalën kyçe....

Cikli përtej bulevardit, një përsiatje ç’mund të bëhet më mirë (Administrata)


Nga Olsi Bakalli

3. Në pritje të shtetit që shërben

Albani kishte filluar punë në administratë pak pas mbarimit të universitetit, i frymëzuar nga profesori i tij, Gjergji, i cili e mësoi se shteti nuk është një ndërtesë, por një angazhim moral ndaj shoqërisë. Për vite me radhë, Albani punoi në një nga super-ministritë që, siç u tha dikur me entuziazëm në një konferencë shtypi, do të sillnin “efikasitet dhe racionalizim të shërbimeve”. Por me kalimin e kohës, ai kuptoi se ndërsa ministritë e bashkuara rriteshin në fuqi simbolike, asgjë nuk zvogëlohej përveç pritshmërive. Një leje ndërtimi mund të kalonte përmes dhjetë zyrash pa marrë përgjigje. Një konflikt pronësie, si ai i profesorit të tij të dikurshëm, mund të zgjaste më shumë se vetë jeta.

Reforma e nisur për të racionalizuar administratën publike shqiptare, një objektiv i shpallur me krenari në çdo strategji qeveritare që nga viti 2013, synonte të reduktonte numrin e të punësuarve, të de-burokratizonte shërbimet dhe të dixhitalizonte ndërveprimin me qytetarin. Megjithatë, në vitin 2025, shifrat tregojnë një histori tjetër: numri i punonjësve publikë në nivel lokal dhe qendror ka ruajtur të njëjtin trend rritjeje, ndërsa shumë bashki të vogla kanë më shumë staf sesa nevojë reale. Në vend që administrata të afrohej me qytetarin, ajo shpesh funksionon si një mur burokratik që mbulon paaftësinë për të ofruar shërbime të qarta dhe transparente.

Çështja e pronësisë në Shqipëri është shembulli më i qartë i kësaj patologjie administrative. Pa një regjistër të konsoliduar dhe të harmonizuar të pronave, konflikti ligjor dhe pasiguria mbeten të përhershme. Vetë Komisioni Evropian në raportet e progresit e ka theksuar vazhdimisht se “mungesa e një kadastre funksionale dhe transparente pengon zhvillimin ekonomik dhe cenon të drejtat themelore të qytetarëve.” Amartya Sen do ta quante këtë një dështim institucional që prodhon pabarazi jo vetëm në të ardhura, por në mundësi. Nuk mund të flasim për drejtësi shoqërore kur e drejta për të ditur ku mund të ndërtosh një shtëpi, apo çfarë ke trashëguar nga gjyshi, varet nga interpretimi i një zyrtari lokal dhe jo nga një sistem i unifikuar të dhënash.

Në këtë kontekst, ekonomia e administratës publike është thelbësore. Teoria e North dhe Ëeingast për institucionet si parakusht për zhvillim të qëndrueshëm mbështet idenë se një shtet i suksesshëm ka institucione që minimizojnë koston e transaksioneve dhe rrisin besimin. Në Shqipëri, kostot e transaksioneve janë rritur për shkak të fragmentimit të të dhënave, mungesës së koordinimit ndërinstitucional dhe sistemit të punësimeve klienteliste që e dëmton performancën e administratës. Siç e ka thënë edhe Paul Collier, vendet me administrata të dobëta nuk arrijnë të kapitalizojnë pasuritë e tyre njerëzore apo natyrore. Kur titujt e pronësisë janë të kontestueshëm dhe marrëdhënia e qytetarit me shtetin është e karakterizuar nga dyshimi, nuk ka investim të sigurt as në ndërtim, as në agrobiznes, as në turizëm.

Albani e dinte këtë më mirë se kushdo. Ai kishte parë me sytë e tij sesi të njëjtat praktika mbeteshin në fuqi, ndërkohë që strukturat e reja krijoheshin mbi ato ekzistuese pa i shuar ato. Reforma e shpallur për të sjellë meritokraci, vazhdon të zhbëhet nga logjika e punësimeve të përkohshme para zgjedhjeve, apo të emërimeve politike që zënë poste drejtimi në administratë. Një raport i SIGMA (OECD) mbi qeverisjen publike në Ballkanin Perëndimor vëren se Shqipëria ka bërë përparim në kornizën ligjore për menaxhimin e burimeve njerëzore, por zbatimi real është i fragmentuar dhe jo i bazuar në performancë. Paul Farmer do të vinte në dukje se struktura të tilla shëndetësore apo administrative që përjashtojnë njerëzit më në nevojë, janë në fakt burim i dhimbjes strukturore.

Nga ana tjetër, mungesa e një platforme të integruar dixhitale për lejet, pronësinë dhe taksat, bën që qytetarët të detyrohen të kalojnë në mënyrë të përsëritur përmes sporteleve të ndryshme për një të drejtë që teorikisht duhet të ishte e qasshme me një klikim. Në vend të një revolucioni dixhital, kemi një ritual të vjetër me dosje letre dhe shpresa të humbura. Raporti i fundit i Komisionit Evropian për Shqipërinë në procesin e anëtarësimit ngre pikëpyetje serioze mbi zbatueshmërinë reale të reformës në administratë dhe thekson nevojën për “trajnime të vazhdueshme, vlerësime të bazuara në rezultate dhe shkëputje të administratës nga ndikimi politik”.

Kostoja ekonomike e një administrate të mbingarkuar dhe joefikase është e lartë. Ajo nuk matet vetëm në bilance fiskale, por në mungesën e investimeve, në ngecjen e projekteve zhvillimore dhe në përçudnimin e besimit qytetar. Michael Marmot, në punën e tij për determinuesit socialë të shëndetit, e ka lidhur mungesën e aksesit në shërbime publike me përkeqësimin e shëndetit publik dhe me rritjen e stresit social. Kur një qytetar lodhet nga zyrat për të zgjidhur një konflikt pronësie, apo për të regjistruar një dokument që nuk ekziston në sistem, ai përjeton jo vetëm zhgënjim, por edhe një ndjenjë të thellë padrejtësie.

Në përmbyllje, duhet ngritur një pyetje thelbësore: A është administrata jonë publike e ndërtuar për të garantuar shtet të së drejtës dhe zhvillim të qëndrueshëm, apo për të ruajtur status quo-në e një sistemi që i shërben vetes më shumë sesa qytetarit? Nëse nuk arrijmë të ndërtojmë një sistem të unifikuar kadastral dhe një administratë të çliruar nga kapja politike, a mund të presim ndonjëherë zhvillim real, ose besim të vërtetë në institucionet publike?

Albani nuk kërkonte ndonjë revolucion të madh. Ai kërkonte që të ndjente se puna e tij kishte kuptim, se një kërkesë për informacion nuk do të humbiste në ndonjë sirtar dhe se një qytetar i zakonshëm, si profesori i tij Gjergji dikur, do të mund të zgjidhte çështjet e pronësisë pa ndërhyrjen e avokatëve, noterëve dhe kafeneve. Ndoshta është koha që, për herë të parë pas kaq shumë reformash të nisura dhe të lëna përgjysmë, të kërkohet një reformë tërësore që vendos qytetarin në qendër dhe jo strukturat që rrotullohen rreth vetes.

Ky shkrim nuk është fundi i analizës, por ftesa për një debat publik të munguar dhe të nevojshëm: A kemi ndërtuar një shtet që shërben, apo thjesht një aparat që sillet si pronar i pushtetit? Dhe nëse përgjigjja është e dyta, a kemi ende kohë për ta ndrequr?