Vendosni fjalën kyçe....

Danimarka vendos “dronë lundrues” në Detin Baltik për të mbrojtur kabllot nënujore nga Rusia


Danimarka ka filluar vendosjen e “dronëve lundrues” të prodhuar në SHBA në Detin Baltik, me qëllim mbrojtjen e infrastrukturës nënujore dhe forcimin e mbikëqyrjes detare përballë kërcënimeve në rritje nga Rusia për sulme hibride.

Këto mjete të reja, të prodhuara nga kompania kaliforniane Saildrone, janë pjesë e një programi testues operativ që synon të përmirësojë kapacitetet daneze për zbulim dhe mbledhje të të dhënave në det.

Por bashkëpunimi ka ngjallur edhe kritika në Danimarkë për shkak të shqetësimeve lidhur me sigurinë dixhitale dhe lidhjet gjithnjë e më të ngushta me Shtetet e Bashkuara, përcjell The Guardian.

Këto zhvillime vijnë në një kontekst marrëdhëniesh të tensionuara midis Kopenhagës dhe Uashingtonit, pas deklaratave të presidentit Donald Trump për një mundësi të marrjes së kontrollit mbi Groenlandën – një territor i mbretërisë daneze.

Dronët 10 metra të gjatë, të njohur si saildrones, duken si varka me vela, por janë mjete të automatizuara pa ekuipazh, të dizajnuara për të mbledhur të dhëna përmes inteligjencës artificiale dhe një sërë sensorësh, kamerash dhe radarësh. Këto të dhëna ofrojnë një pamje më të detajuar të aktivitetit detar sesa ajo që ofrojnë satelitët.

Kompania Saildrone ka bashkëpunuar më parë me marinën amerikane për të luftuar trafikun e drogës dhe peshkimin ilegal, por ky është përdorimi i parë i mjeteve të saj për qëllime mbrojtjeje në ujërat evropiane.

“Qëllimi i Saildrone është të ofrojë sy dhe veshë në zona ku më parë nuk kishim”, tha drejtori ekzekutiv i kompanisë, Richard Jenkins.

Dronët pritet të ndihmojnë në identifikimin e anijeve dhe zbulimin e lëvizjeve të dyshimta, në një kohë kur shqetësimet për të ashtuquajturin “flotë hije” të Rusisë – anije të vjetra që anashkalojnë sanksionet duke transportuar naftë për në Kinë dhe Indi – janë në rritje.

 Ato gjithashtu mund të ndihmojnë në zbardhjen e akteve të sabotimeve nënujore, siç janë dëmtimet e tubacioneve apo kabllove të të dhënave.

“Ajo që po shohim tani është përdorimi i flotave tregtare për qëllime ushtarake”, shtoi Jenkins. “Pavarësisht nëse bëhet fjalë për kontrabandë të naftës apo sabotime të infrastrukturës, ne duhet të jemi në gjendje ta ndjekim këtë.”

Aktualisht, forcat e armatosura daneze kanë vendosur katër dronë lundrues në Detin Baltik për testim.

Por vendimi ka nxitur kundërshtime në radhët e ekspertëve të teknologjisë në Danimarkë. Inxhinieri i njohur danez dhe sipërmarrësi i softuerëve, David Heinemeier Hansson, tha për transmetuesin DR: “Problemi me kompanitë amerikane është se ato duhet të ndjekin ligjin amerikan dhe urdhrat presidencialë. Presidenti amerikan mund të kërkojë të dhënat në çdo kohë dhe të mbyllë aksesin kur të dojë.”

Edhe Jacob Herbst, kryetar i Këshillit Danez për Sigurinë Kibernetike, shprehu shqetësim: “Me situatën ndërkombëtare që po përjetojmë, duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm kur zgjedhim furnitorë amerikanë në këtë fushë.”

Megjithatë, Jenkins theksoi se Saildrone nuk ka qasje në të dhëna të klasifikuara dhe se të gjitha të dhënat janë të koduara plotësisht.

Dronët lundrues mund të funksionojnë me naftë, energji diellore dhe erë, dhe janë të dizajnuar për të qëndruar në det për periudha të gjata.