
Tregu i fondeve të investimit u rrit më tej në tremujorin e parë të këtij viti.
Sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), asetet neto të këtyre fondeve arritën në 67 miliardë lekë, në rritje me 9.2% që nga fillimi i vitit dhe me 29.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Vlera e aseteve neto të tregut ka arritur nivelin më të lartë në katër vitet e fundit, por ende është larg nivelit maksimal historik, që u arrit në vitin 2021, në vlerën e pothuajse 82 miliardë lekëve.
Tregu i fondeve të investimit pësoi një goditje të fortë në vitin 2022 nga rritja e shpejtë e normave të interesit dhe yield-eve në tregun financiar. Kjo zhvlerësoi portofolin e titujve të mbajtur nga fondet e investimit, solli ulje të vlerës së aseteve dhe tërheqje të konsiderueshme të anëtarëve nga fondet.
Megjithatë, frenimi i rritjes së normave të interesit pas vitit 2023 bëri që rënia e vlerës së aseteve të frenohet dhe tregu të rimëkëmbet gradualisht.
Numri i anëtarëve në fund të tremujorit të parë arriti në pak më shumë se 40 mijë, në rritje me 6% që nga fillimi i vitit 2025 dhe me 20.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Nëse vlera e aseteve ende nuk ka arritur nivelet e para vitit 2022, numri i investitorëve tashmë ka arritur në nivele të përafërta me periudhën para goditjes që tregu mori nga rritja e shpejtë e normave të interesit.
Fondet e investimit në Lekë i kanë përqendruar investimet e tyre sidomos në bono dhe obligacione të qeverisë shqiptare dhe në një masë më të vogël në mjete likuide (llogari bankare). Fondet në valutë kanë një spektër më të gjerë investimesh, por edhe aty në volume dominojnë instrumentet financiare të borxhit të qeverive dhe shoqërive tregtare.
Disa prej fondeve janë të angazhuara edhe në investime në aksione, por pesha e tyre specifike në treg ngelet e ulët.
Në fund të tremujorit të parë 2025, në treg ishin aktivë 18 fonde investimi (duke përfshirë edhe fondet e investimeve alternative), të administruara nga pesë shoqëri të ndryshme administruese.
Tregu dominohet nga fondet në monedhën vendase, që përbëjnë afërsisht 92% të vlerës neto të aktiveve të fondeve të investimit në instrumente financiare. Në dy vitet e fundit, vlera e fondeve në valutë të huaj është ndikuar negativisht edhe nga efekti i kursit të këmbimit.
Mes fondeve, më i madhi me diferencë të konsiderueshme ngelet fondi i investimeve në Lekë, Raiffeisen Prestigj, me më shumë se 63% të aseteve neto të tregut. Vijon fondi tjetër në Lekë i shoqërisë Raiffeisen Invest, Raiffeisen Vizion, me mbi 17% të vlerës neto të aseteve. Mes fondeve në valutë të huaj, më i madhi është Raiffeisen Invest Euro, me 6% të vlerës neto të aseteve.
Ndërkohë, në rritje paraqiten në dy vitet e fundit fondet e investimeve alternative, Sea Land dhe Green View, që tashmë përbëjnë afërsisht 9 % të aseteve neto të tregut. Asetet e këtyre fondeve janë të investuara kryesisht në pasuri të paluajtshme dhe rritja e vlerës së pronave ka dhënë efekt pozitiv në totalin e aseteve të këtyre fondeve./ Monitor