Vendosni fjalën kyçe....

Shpërthen gjatë testimit në Teksas raketa Starship e SpaceX (Video)


Një gjëmim i fortë tronditi banorët e Qarkut Cameron në Teksas të mërkurën mbrëma, duke dridhur dritare dhe enë kuzhine, çka shkaktoi frikë dhe pasiguri tek qytetarët.

Zyra e Sherifit të Qarkut Cameron konfirmoi se zhurma e fuqishme ishte rezultat i një shpërthimi gjatë një testimi statik të raketës Starship, që po zhvillohej në Qendrën e Testimit Massey të kompanisë SpaceX, në orën 23:01 me orën lokale.

Në një deklaratë zyrtare të publikuar në rrjetin X (ish-Twitter), SpaceX bëri të ditur:

“Rreth orës 23:00 sipas kohës së Teksasit, anija Starship, e cila po përgatitej për testin e saj të dhjetë të fluturimit, përjetoi një anomali të madhe ndërsa ndodhej në një stacion testimi në Starbase.”

SpaceX theksoi se gjatë gjithë testimit ishte vendosur një zonë sigurie e pastër rreth qytetit dhe se i gjithë personeli është i sigurt dhe në gjendje të mirë shëndetësore, raporton Valleycentral.

“Ekipi ynë në Starbase po punon në mënyrë aktive për të siguruar zonën e testimit dhe ambientet përreth, në bashkëpunim me autoritetet lokale,” vijon deklarata.