
Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të rëndësishëm, duke caktuar zyrtarisht Ministrinë e Financave si përfaqësuese të shtetit shqiptar në cilësinë e aksionarit të parë dhe të vetëm të shoqërisë “Banka Shqiptare e Zhvillimit” sh.a.
Sipas vendimit, Ministria e Financave do të përfaqësojë shtetin si pronare e 100% të aksioneve të bankës, dhe do të ketë detyrën të ndjekë të gjitha procedurat e mëtejshme ligjore në përputhje me ligjin nr. 23/2025 “Për Bankën Shqiptare të Zhvillimit”.
Po ashtu, edhe vetë shoqëria “Banka Shqiptare e Zhvillimit” sh.a. është ngarkuar për zbatimin e këtij vendimi dhe për të bashkëpunuar me ministrinë për përmbushjen e përgjegjësive të reja.
Banka, e themeluar për të nxitur zhvillimin ekonomik të vendit, ka si fokus financimin e sektorëve strategjikë të ekonomisë, me një theks të veçantë në bujqësi, zhvillim rural dhe infrastrukturë.
Vendimi është marrë në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe nenit 6 të ligjit nr. 23/2025, me propozim të Ministrit të Financave, dhe hyn në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare.