
Izraeli ka sulmuar reaktorin e ujit të rëndë në Arak, një strukturë bërthamore që ndodhet rreth 250 kilometra në jugperëndim të Teheranit, sipas mediave shtetërore iraniane dhe ushtrisë izraelite.
Agjencia shtetërore e lajmeve IRIB raportoi se dy predha u lëshuan drejt objektit rreth orës 6 të mëngjesit me orën lokale, por objekti nuk ka pësuar dëmtime të rënda.
Një zyrtar ushtarak izraelit konfirmoi se avionët luftarakë goditën objektin, gjatë një serie bastisjesh gjatë natës në të gjithë vendin.
“Reaktori bërthamor në rajonin Arak të Iranit u sulmua, përfshirë strukturën që e mbyll reaktorin, i cili është një komponent kryesor në prodhimin e plutoniumit”, tha një zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF). “Sulmi u krye kundër përbërësit të destinuar për prodhimin e plutoniumit, duke penguar kështu aftësinë e tij për t’u ripërdorur për të prodhuar armë bërthamore”, shtoi zëdhënësi.
Më herët gjatë së enjtes, IDF lëshoi një paralajmërim evakuimi për banorët pranë objektit në Arak, duke theksuar se “prania juaj në këtë zonë vë jetën tuaj në rrezik.”
Ky sulm vjen gati një javë pasi Izraeli kishte shënjestruar tre objekte bërthamore iraniane Natanz, Isfahan dhe Fordow, si dhe disa shkencëtarë të rëndësishëm.
Reaktori i ujit të rëndë në Arak ishte një pikë kyçe në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 mes Iranit dhe fuqive botërore, pasi uji i rëndë (oksidi i deuteriumit) mund të përdoret për prodhimin e plutoniumit, duke i ofruar Iranit një rrugë të dytë për zhvillimin e një bombe bërthamore, përveç asaj përmes uraniumit të pasuruar.
Sipas marrëveshjes, Irani duhej ta ridizajnonte reaktorin Arak në një strukturë kërkimore paqësore, e cila nuk do të ishte në gjendje të prodhonte plutonium të përshtatshëm për armë. Megjithatë, në vitet pas tërheqjes së SHBA-së nga marrëveshja, Irani ka shkelur disa nga kushtet e saj dhe nuk i lejon më inspektorët e OKB-së të monitorojnë as prodhimin dhe as rezervat e ujit të rëndë, shkruan CNN.