
Dy skuadra të agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), të shoqëruara nga patrulla të Policisë së Shtetit, kanë ushtruar mëngjesin e sotëm kontrolle në katër ambiente të lidhura me biznesmenin E. A., në zbatim të një urdhri të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Sipas raportimeve mediatike, kontrollet janë kryer në banesat e biznesmenit në Durrës dhe Tiranë, si dhe në ambientet e biznesit të tij.
Hetimi është pjesë e dosjes për kontrabandën e cigareve, në kuadër të së cilës SPAK zhvilloi një operacion disa javë më parë.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se kompania e duhanit që është nën hetim për përfshirje në kontrabandë, është blerë nga biznesmeni E. A. rreth një vit më parë.
Kontrollet e sotme synojnë të mbledhin prova që lidhen me këtë aktivitet të dyshuar të paligjshëm.
SPAK nuk ka dhënë ende një njoftim zyrtar mbi rezultatet e kontrolleve apo mbi ndonjë masë të ndërmarrë ndaj biznesmenit, ndërsa hetimet për dosjen në fjalë vijojnë.