
Nga selia e Parlamentit Evropian në Strasburg, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, ka shpërndarë një videomesazh ku thekson se hapja e zyrës së Parlamentit Evropian në Tiranë këtë vit është një sinjal i qartë i afrimit dhe sigurisë së integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Parlamenti Evropian do të ketë edhe një seli të vetën në Tiranë, e cila do të shërbejë për të gjithë rajonin tonë. Përzgjedhja e Tiranës nuk është rastësore, por pasqyron mbështetjen e fortë të Parlamentit Evropian për një anëtarësim të shpejtë të Shqipërisë sonë në BE, por dhe përkushtimin për forcimin e institucioneve demokratike, sundimit të ligjit dhe të angazhimit me qytetarët shqiptarë,” u shpreh ministri Balla.
Ai theksoi se hapja e kësaj zyre do të shërbejë si një nyje strategjike për thellimin e bashkëpunimit midis institucioneve shqiptare dhe atyre evropiane.
“Zyra në Tiranë do të shërbejë si një urë lidhëse thelbësore, duke nxitur dialogun, duke lehtësuar bashkëpunimin me institucionet dhe me shoqërinë civile shqiptare, duke siguruar që vlerat dhe zërat e qytetarëve të reflektohen plotësisht në procesin e vazhdueshëm të anëtarësimit të Shqipërisë sonë në Bashkimin Evropian,” u shpreh ai.
Ministri Balla nënvizoi gjithashtu vizionin e qeverisë shqiptare për procesin e anëtarësimit në BE: “Vizioni ynë është i qartë: ne synojmë të mbyllim negociatat e pranimit deri në vitin 2027 dhe të sigurojmë anëtarësim të plotë në BE brenda mandatit historik që na besuan shqiptarët më 11 maj, me një votë si asnjëherë tjetër më parë.”
Në përmbyllje të mesazhit të tij nga Strasburgu, Balla theksoi rëndësinë e vlerave evropiane për të ardhmen e Shqipërisë:
“Bashkimi Evropian nuk është thjesht destinacioni ynë, është pika referuese e qeverisjes, prosperitetit dhe solidaritetit për të cilën aspiron Shqipëria jonë e përbashkët. Ju përshëndes të gjithëve nga Strasburgu.”
Ministri Taulant Balla ndodhej në Strasburg për takimin e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri, ku përfaqësoi qeverinë shqiptare dhe paraqiti arritjet që sipas tij dëshmojnë gatishmërinë e vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.